Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e gjimnazeve të Tiranës në Ministrinë e Arsimit, ku ka komentuar protestat e fundit dhe përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
Rama i cilësoi aktet e dhunës si të ndara nga e drejta kushtetuese për të protestuar, ndërsa akuzoi grupe të caktuara për shfrytëzimin e pakënaqësisë qytetare.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal edhe te ndikimi i rrjeteve sociale te të rinjtë, përgjegjësia e prindërve dhe nevoja për masa ndaj personave që shkaktojnë dëme gjatë protestave. Ai bëri gjithashtu të ditur se po shqyrtohet mundësia e kufizimit të përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
“Shumë faleminderit për praninë këtu në këtë institucion, i cili është bërë objekt i sulmit dhe në fakt, i një agresioni të vërtetë me gurë të shkulur nga trotuarët e “Rrugës së Durrësit” dhe është vendosur në qendër të vëmendjes vetëm për një arsye, për të kamufluar çka në të vërtetë është në burimin e helmuar të kësaj proteste, për të krijuar idenë që kjo është një protestë për arsimimin, që kjo është një protestë e studentëve dhe për të justifikuar kësisoj të gjithë këtë valë dhune, e cila nuk ka të bëjë as me nxënësit, as me studentët, por me një grup njerëzish ku ka nga të gjithë.
Natyrisht që brenda në atë grup që agreson policinë, që mban nën një presion terrori qytetin, ka edhe studentë, ka edhe studentë, të cilët janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre, studentë të cilët i përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik, por problemi nuk janë dhe nuk do jenë asnjëherë, as studentët, as qytetarët që ushtrojnë të drejtën e protestës.
Ushtrimi i të drejtës për të protestuar është një liri kushtetuese e pamohueshme për askënd. Këtu nuk flasim për ushtrimin e të drejtës kushtetuese për të protestuar, këtu flasim për ushtrimin e dhunës.
E kam marrë përsëri me vete këtë gur sepse kur e mban në dorë dhe kur imagjinon peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të policisë, është një armë që mund të shkaktojë edhe një tragjedi dhe ky gur është objekti që ndan qartësisht dy anët e kësaj historie dhe ky gur është objekti që përcakton se ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të reaguar dhe për të marrë në mbrojtje qytetarët e vet, për të marrë në mbrojtje ata, që duan të shkojnë në punë, ata që duan të shkojnë në shkollë, ata që duan t’i rrisin fëmijët në një mjedis të sigurtë dhe për të marrë në mbrojtje të ardhmen e këtij vendi.
Tani, dua të them disa gjëra për ju dhe me ju, sepse natyrisht që reagimi i domosdoshëm i policisë së shtetit dhe i organeve ligjzbatuese, i Prokurorisë dhe i gjykatave është njëra anë e medaljes.
Ana tjetër e medaljes është e përditshmja e shkollës, është edhe nevoja për të reflektuar mbi si të gjithë ne së bashku, mund të adresojmë traumën e këtij brezi të ri që po rritet, ku një pjesë e vajzave dhe djemve në moshë shumë të re, janë faktikisht kontigjent i këtyre forcave që tanimë kanë penetruar Europën dhe që po shfaqen me zjarr e me hekur në shumë kryeqytete dhe qytete të Europës edhe pse kjo e jona është ende më e komplikuar se aq, sepse duart që janë futur këtu, qysh në krye të herës për të shfrytëzuar manifestimin e pakënaqësisë qytetare për 1001 arsye në qershor, një manifestim krejtësisht legjitim dhe i respektueshëm, janë duar që së bashku kërkojnë të shfrytëzojnë një moment, kërkojnë të shfrytëzojnë një boshllëk, kërkojnë të shfrytëzojnë një hapësirë të krijuar për të frenuar ecurinë e mëtejshme të vendit tonë, për të destabilizuar një vend, i cili ka qene eksportues i stabilitetit në këtë pjesë të Europës, në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për ta frenuar procesin e negociatave me BE.
Dua të them që, kur kam parë dje pamjet e nxënësve që vandalizonin librin e Gjergj Fishtës, nuk kam hasur asnjë ndjesi tjetër, përveç ndjesisë së shqetësimit të madh, që shkon përtej faktit që një grusht adoleshentësh po dhunonin një simbol aq kuptimplotë të kulturës dhe të historisë së vendit tonë dhe kjo do të thotë që sipas meje ata as nuk e dinë kush është Gjergj Fishta. Dhe kjo është një arsye që ne të gjithë të reflektojmë mbi këtë padije dramatike, në një kohë kur jemi në një front të përbashkët; mësues, drejtues shkollash, prindër, institucione arsimore, shoqëri; në një front të përbashkët për të kompensuar agresionin e imazheve dhe të mesazheve të përminutshme që fëmijët marrin nga TikTok-u dhe nga platformat e tjera, ku tanimë janë bërë pjesë e një jete paralele, në të cilën ata kujtojnë se zgjedhin, por në fakt algoritmi i zgjedh dhe i shënjestron njësoj si rrjetet e shpërndarësve të drogës, që i çojnë në mënyrë të vazhdueshme tek varësia nga diçka që i ndan nga realiteti.
Lavdi Zotit, pjesa më e madhe e nxënësve dhe e nxënëseve është një pjesë e shëndoshë, por rreziku që kjo pjesë tjetër po shkëputet ose është shkëputur për arsye të çfarëdollojshme, të bëhet një pjesë gjithmonë e më e madhe, është një rrezik real, një rrezik aktual me të cilin ne të gjithë duhet të përballemi. Dhe prandaj përtej këtyre ditëve dhe ndërkohë kemi nevojë të gjithë së bashku të bëjmë një reflektim duke u mbështetur në radhë të parë tek ju, tek eksperienca juaj. Ju jeni zonja dhe zotërinj që vini nga një eksperiencë jo e vogël si mësues dhe tani drejtoni dhe mësuesit, drejtoni dhe institucionet tuaja dhe dini ta shikoni arsimin parauniversitar, dini ta shikoni gjithë qënien e shkollës dhe të institucionit që drejtoni edhe nga këndi i mëparshëm i mësuesit si individ, pjesë e një kolektivi dhe nga këndi drejtuesit.
Kemi bërë përpjekje të përbashkët për të rritur cilësinë e drejtimit të shkollës dhe ju keni kaluar besoj edhe nga shkolla e drejtorëve, jeni futur në një proces dhe të edukimit në vazhdim të drejtuesit të shkollës, sot në këto kushte kur administrimi i atyre shpirtrave të vegjël që mblidhen përditë në oborrin e shkollës që në mëngjes është gjithmonë e më kompleks, sepse ata tanimë nuk vijnë vetëm thjesht nga shtëpia, por vijnë edhe nga ato hapësirat okulte të pasqyrës dixhitale që kanë me vete dhe marrëdhënia me ta bëhet shumë komplekse. Për këtë arsye kemi dakordësuar me ministren dhe me disa këshilltarë të arsyeshëm edhe idenë që secila, secili prej jush të shkruajë ditarin e këtyre ditëve, ditarin e këtyre ditëve në mënyrë sa më të detajuar, me një narrativë shumë të thjeshtë. Çfarë ndodhi, si ndodhi. Jo për të pasur një dokument për ta çuar në një organ ligjzbatues, por për të pasur mozaikun e një historie që do të na vlejë për ta rilexuar dhe për të reflektuar sapo gjërat të qetësohen dhe për të kuptuar se si dhe ku duhet të ndërhyjmë qoftë në aspektin e sigurisë, qoftë në aspektin e atyre individëve që janë vënë re të tërhequr nga kjo flamë, qoftë në aspektin e cilësdo nevojë për të riadoptuar programin e shkollës jo në raport me kurrikulat por në raport me ndërveprimin social.
Të rinjtë, fëmijët po humbin pak më pak sensin e sociales dhe socializimi i tyre po ndodh gjithmonë e më shumë në një hapësirë artificiale ku ata komunikojnë në një formë krejt tjetër, e cila nuk e përfshin atë që është themeli i marrëdhënies njerëzore që është empatia, është fundi i empatisë dhe zëvendësimi i saj me diçka tjetër të frikshme deri në pikën ku pa pritur pa kujtuar fëmija i vogël që ti shikon përditë shfaqet si një vandal që djeg dhe shkatërron së bashku me një grup të tjerësh.
Natyrisht që në këtë proces dhe në këto ditë është shumë e rëndësishme të flitet me prindërit. Të flitet me prindërit sepse ne jemi në kushtet kur ky agresion është 360 gradë.
Edhe më keq sesa agresioni i gurëve është agresioni i mediave, i mediave të cilat janë rreshtuar në një front për interesa krejt të tjera. Jo për një arsim më të mirë, jo për një shoqëri më të mirë, por për interesa krejt të tjera, interesa të lidhura me natyrisht paranë, me politikën, me pushtetin, në kuptimin e nevojës ulëritëse për të përdorur këtë shqetësim social dhe për ta kthyer në zjarr dhe në valë gurësh për të rrëzuar qeverinë dhe për të ndryshuar pushtetin me imponimin e dhunës, gjë që nuk ka për të ndodhur dot asnjëherë dhe në asnjë formë dhe për asnjë arsye, por që rëndon në mënyrë dramatike në psikologjinë e qytetarëve. Krijon idenë që këtu po digjet e gjithë Shqipëria, ndërkohë që ky është një sulm që zhvillohet në një perimetër të mirëpërcaktuar, që orkestrohet nga duar të cilat janë të stërvitura për këtë punë që ushqehet me benzinë si një zjarr i brendshëm nga aktorë të huaj, gjë që tanimë është kuptuar dhe po bëhet një çështje e madhe në të gjithë Europën dhe ku iu projektohet qytetarëve një realitet i kombinuar hibrid.
Është një luftë hibride e cila natyrisht funksionon deri në këtë masë sepse bazohet tek shqetësime reale, jo tek fantazira. Sigurisht që janë reale shqetësimet për koston e jetesës. Janë reale shqetësimet për të nesërmen e sigurtë në raport me strehimin, në raport me mundësitë për të pasur më shumë etj. Dhe në këtë projeksion një nga pikat tek e cila insistohet pa pushim është policia po dhunon protestuesit. Policia po përdor forcë disproporcionale. Po dhunohen fëmijët tanë, po dhunohen studentët, po dhunohen të miturit.
Tani unë kam sjellë me vete këtu një listë të tërë shembujsh konkret për forcën disproporcionale ose për atë që është quajtur karakteristikë e forcës disproporcionale të policisë në raport me protestuesit dhe ka një fakt shumë të thjeshtë elementar.
Aty ku përdoret forca disproporcionale, raporti mes të lënduarve në anën e protestuesve dhe atyre në anën e policisë natyrisht që është një raport i zhdrejtë, ku qartësisht ka shumë më tepër protestues të lënduar sesa ç ka policë të lënduar.
Sot që flasim nuk e kam shifrën konkrete të fundit se dua të jem shumë i saktë, po jemi deri afër 200 efektivë policie të lënduar, të plagosur që kanë shkuar dhe kanë marrë ndihmë në spital dhe jemi diku te 80 të lënduar, të plagosur nga ana e protestuesve, ndër të cilët, ndër të cilët më pak se gjysma janë studentë, të tjerët janë të rinj patjetër, por aspak studentë, aspak nxënës. Të rinj që i përkasin atij të ashtuquajtur grupit të zjarrit, të rinj të maskuar, të paguar, të sjellë nga periferitë për të sulmuar policinë dhe për të krijuar frymën e terrorit. Pra jemi afro 200 policë dhe jemi rreth 80 protestues të lënduar.
Në Francë në protestat e dhunshme të viteve 2018 dhe 2019 raporti i të lënduarve, të plagosurve ka qenë 2448 nga ana e protestuesve dhe 1797 nga ana e policisë, pra shumë më tepër protestues të plagosur sesa policë të plagosur. Në Rumani në vitin 2018, ndihma mjekësore është dhënë për 419 civilë, pra protestues apo kalimtarë , këtu flasim për protestuesit, dhe 33 xhandarë. Në spital janë kuruar 56 civilë dhe vetëm 14 xhandarë. Kjo është disproporcion.
Në Gjeorgji në protestat masive që u bënë dhe që u kthyen në protesta të dhunshme, numri i të plagosurve nga e protestuesve ka qenë 160 dhe nga ana e policisë vetëm 80. Përsëri shumë më tepër protestues sesa efektivë policie.
Në Afrikën e Jugut, një tjetër protestë e kthyer në një protestë të dhunshme, ku ka pasur dhe largqoftë të vrarë, përsëri krahasimisht me mbi 100 protestues nga të cilët 34 të vrarë dhe pjesa tjetër të plagosur, ka pasur vetëm 2 policë të vrarë dhe një dyzinë policësh të plagosur.
Në Spanjë, nga të gjithë të dëmtuarit, 833 persona kanë qenë të lënduar dhe të plagosur nga ana e protestuesve dhe vetëm 33 efektivë policie kanë marrë ndihmë mjekësore.
Në Gjermani 130 demostrues të plagosur, të lënduar dhe vetëm 34 policë dhe mund të vazhdoj me plot shembuj të tjerë, por kjo është një listë e ushtrimit disproporcional të forcës nga ana e Policisë dhe nga ana e shtetit në raport me protestuesit.
Ka një postulatë: “Monopolin e forcës në demokraci e ka shteti’’. Kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Vetëm shteti mund të ushtrojë forcë dhe ka të drejtë ta ushtrojë forcën në mënyrë proporcionale dhe aty ku liria e disave kalon kufirin dhe cënon lirinë e të tjerëve. Aty ku e drejta e disave kalon kufirin dhe cënon të drejtën e disa të tjerëve, aty shteti ndërhyn dhe përdor monopolin e forcës.
Askush tjetër nuk mund të përdorë forcën në demokraci për asnjë arsye, në kushtet kur janë të hapura rrugët e dialogut dhe unë e kam thënë gjithnjë dhe e përsëris; në çdo rast dhe për çfarëdo arsye që kërkohet komunikim me mua apo me qeverinë, ne jemi aty, jemi gati. Unë komunikoj vazhdimisht edhe në telefonin tim me njerëz që më shkruajnë. Unë përcjell çdo mesazh që më vjen. Tani, ka dhe raste kur ka shume dhe nuk i ndjek dot të gjitha, por i përcjell tek ministrat për t’i ndjekur kur bëhet fjalë për ankesa etj, jo më pastaj të dëgjoj ata të cilët kanë nevojë të më thonë atë që mendojnë, qoftë dhe të vijnë përballë dhe të thonë; ’’ti duhet të largohesh sepse ne kemi këto arsye për të të bindur që ti është mirë, të hapësh krahun sepse ne kemi një tjetër qasje, kemi një tjetër program pavarësisht se populli ka votuar për ty dhe për partinë që ti drejton, shikoje njëherë se çfarë idesh të jashtëzakonshme kemi ne dhe se si ne kemi gjetur çelësin për ta bërë jetën më të lirë, për t’i bërë të gjithë të jetojnë më mirë” dhe le të hapim këtë diskutim dhe jam i gatshëm pa kushte të dëgjoj këdo, kudo, kurdo, por me këtë jo vetëm që nuk ka shans të imponohet asnjë lloj agjende dhe asnjë lloj ideje alternative, por me këtë, kush përdor këtë, mundësitë i ka dy; ose të shpëtojë falë maskës edhe këmbëve të shpejta, ose të shkojë dhe të përgjigjet përpara ligjit dhe të përgjigjet dhe përpara shoqërisë sepse ne, siç e thashë dhe dje, jemi duke punuar intensivisht për të përgatitur një paketë masash, një paketë masash të natyrës jo thjesht penale por të natyrës administrative sepse kush shkatërron duhet të paguajë. Kush dëmton pronën e tjetrit, kush dëmton pronën publike, kush shkul pllakat e trotuarëve që shtrohen me paratë e taksapaguesve të këtij qyteti dhe kush detyron dhe imponohet bashkisë së qytetit, i imponohet qeverisë që çfarë ka planifikuar për shkolla, çfarë ka planifikuar për kopshte e për çerdhe, duhet ta çojë për riparime, duhet të përndiqet nga hija e shtetit që i vjen pas dhe i kërkon deri në fund një më një, dëmshpërblimin.
Nuk e di a e keni vënë re, po e para gjykata edhe pse në këndvështrimin tim ka lënë shumë për të dëshiruar, i ka konsideruar të gjitha arrestet të ligjshme, që të gjitha, domethënë të gjitha ndalimet e policisë. Nuk kemi pasur asnjë rast kur gjykata, që e përsëris, ka lënë shumë për të dëshiruar në këtë moment, kur duhet të tregonte me kurajë forcën e ligjit deri në fund, por edhe gjykatësit janë të kompleksuar nga terrori dhe nga trysnia e madhe e kësaj force të verbër, i kanë konsideruar të gjitha ndalimet e policisë, të ligjshme. Dhe një numër jo i vogël i tyre kanë qenë ndalime të miturisht për të cilat gjykata ka dhënë vendim të mbikëqyrjes prindërore. Mbikëqyrja prindërore është një koncept i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Prindi ka përgjegjësinë e vet. Ministrja e tha, ne jemi të vetëdijshëm që në kushte të caktuara, në familje me një status të caktuar social prindërit kanë nevojë të ndihmohen dhe ata për të kuptuar se ça po bëjnë, por prindërit nuk do të mbeten jashtë kësaj përgjegjësie dhe prindërit do të duhet të jenë pjesë e përgjegjësisë për të paguar dëmet që bëjnë fëmijët e tyre. Kjo nuk mund të jetë kështu. Është i mitur dhe s’mban asnjë përgjegjësi.
Unë nuk jam i idesë që për të miturit përgjigjja e vetme është ajo që po bën sot Europa, vendet e BE që janë nën këtë goditje, ulja dhe ndryshimi i natyrës së qasjes ndaj përgjegjësisë penale dhe ulja e moshës. Është një opsion që ne do ta studiojmë. Po e studiojmë dhe do ta shohim nëse do të duhet ta ulim moshën për dënimin penal, siç thashë, po e bëjnë një sërë vendesh, por ky është përsëri instrumenti i forcës së shtetit, ndërkohë që na duhet instrumenti i këmbënguljes së shtetit për të afruar njerëzit e dalë nga rruga e ligjit dhe të ikur në drejtim të paditur dhe familjet që i kanë këta fëmijë.
Tani përveç kësaj, natyrisht që po studiojmë edhe eksperienca të tjera, është koha për t’i dhënë një përgjigje pyetjes a duhet dhe unë jam i bindur që duhet, por si do të realizojmë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16 vjeç dhe nga ana tjetër si do të adresojmë gjithë këtë masë agresorësh të jetës së njeriut, të dinjitetit të njeriut, të cilët përmes rrjeteve sociale kërcënojnë, terrorizojnë, ofendojnë, i marrin erzin, i marrin qetësinë familjeve.
Kështu që, unë e di që ju duhet të largoheni sepse keni një punë më të rëndësishme sesa të më dëgjoni mua këtu me gjithë fëmijët dhe xhagajdurët që merreni në mënyrë të përditshme. Unë dua t’ju falenderoj shumë për gjithë përpjekjen dhe mbi të gjitha keni të gjithë solidaritetin edhe mirënjohjen time dhe tonën për qëndrimin drejtë në këto ditë kur siç e kemi parë plot lëkunden dhe dalin dhe predikojnë në media, predikojnë në media deri në pikën si disa pedagogë që e konsiderojnë këtë valë dhune si diçka të ngjashme me ‘91-shin. Po unë nuk dua të hyj këtu sepse me pedagogët është një temë tjetër dhe gjërat unë kam dëshirë t’i them përballë.
Shumë faleminderit. Flisni sa më shumë në këto ditë me mësuesit. Qetësojeni sepse kjo gjë është diçka që dihej. Dihej që kur nën puplat e flamengove u fshehën edhe duart që sot kanë dalë haptas, por nga ana tjetër çfarë e sfidon një shtet e bën vetëm më të fortë.
E bën vetëm më të fortë. Policia e shtetit meriton të gjithë respektin dhe mbështetjen e të gjithëve sepse siç tregojnë të gjitha faktet, jo si siç tregojnë manipulimet mediatike të atyre që për turpin e tyre i ushqejnë ato ekrane me pranira dhe me intervista si intelektual, si elita bulevardeske e këtij vendi, këtu nuk ka absolutisht asnjë përdorim disproporcional të forcës. Përkundrazi ka një vetëpërmbajtje të plotë të policisë. Të rrish nën shiun e këtyre gurëve dhe që të përgjigjesh me ujë dhe me gaz e pastaj të ndërhysh vetëm kur bëhet e pamundur dhe bëhet e rrezikshme për jetën qëndrimi nën shiun e këtyre gurëve është dinjitet dhe natyrisht është forcë për të vendosur ku është kufiri.
Shumë faleminderit.
Punë të mbarë dhe ju lutem shumë atë ditarin e përditshëm ta mbani se sepse nuk duhet harruar asgjë nga ato që ndodhin dhe nuk duhet harruar askush nga ata me të cilët duhet të merremi më pas me psikologë, duhet të merremi më pas për të adresuar me programe të veçanta, duhet të merremi më pas për të parë se si dhe atë jetën pas shkollës që ta bëjmë më të pasur, ta bëjmë më të fokusuar edhe tek problematikat e këtij e këtij brezi”, tha Rama.
