Gjykata dhe Prokuroria e Fierit janë boshatisur këtë mëngjes pas mbërritjes së një mesazhi kërcënues për vendosjen e një bombe në ambientet e këtyre institucioneve.
Pas marrjes së mesazhit, administrata dhe personat që ndodheshin në godina janë alarmuar duke u larguar nga ambientet për arsye sigurie.
Ndërkohë, pranë institucioneve është vënë re një prani e shtuar e forcave të Policisë, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje për të marrë masat e nevojshme dhe për të garantuar sigurinë.
Autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar nëse kërcënimi është i besueshëm. Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi identitetin e personit që ka dërguar mesazhin.
Kontrollet po vijojnë në ambientet e të dyja godinave, ndërsa situata mbetet nën monitorimin e strukturave përgjegjëse.
Mbetet e paqartë se kur do të rifillojë normalisht puna në këto institucione, pasi varet nga përfundimi i verifikimeve dhe masat e sigurisë që do të ndërmerren.
