Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se kontrabandonin makineta të lojërave të fatit dhe i modifikonin me programe të paligjshme për t’ua shitur personave të përfshirë në organizimin e këtyre aktiviteteve.

Operacioni i koduar “Interceptimi” u finalizua pas një hetimi pesëmujor, të zhvilluar me metoda proaktive nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë.

Në pranga ranë A. S., 53 vjeç, dhe S. K., 67 vjeç. Sipas hetimeve, 53-vjeçari kishte marrë me qira një magazinë në zonën e Kodrës së Priftit, ku, në bashkëpunim me 67-vjeçarin, dyshohet se sillte makineta nga shtetet fqinje dhe i modifikonte përmes programeve elektronike të paligjshme dhe ndërhyrjeve elektromagnetike. Pajisjet dyshohet se përshtateshin sipas kërkesave të personave dhe subjekteve të përfshira në organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi 25 makineta të lojërave të fatit, katër telefona celularë, dy laptopë dhe një njësi kompjuterike.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme dhe për nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds