Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe duke e kthyer çështjen për rishqyrtim.
Sipas njoftimit zyrtar, me shumicë votash, Kushtetuesja vendosi të shfuqizojë vendimin nr. 00-2025-658, të datës 22 prill 2025, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se masa e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndërhyn në lirinë e lëvizjes, të garantuar nga neni 38 i Kushtetutës. Sipas saj, Gjykata e Lartë nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të Berishës lidhur me nevojën dhe përshtatshmërinë e kësaj mase.
Ndërkohë, për pretendimet e tjera që lidhen me cenimin e së drejtës për proces të rregullt ligjor, Kushtetuesja vlerësoi se ato kanë marrë përgjigje nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm dhe se arsyetimi i tyre nuk rezulton arbitrar apo i pamjaftueshëm nga pikëpamja kushtetuese.
Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet e përfaqësimit të Berishës, në vlerën 60 mijë lekë, t’i ngarkohen Ministrisë së Financave.
Vendimi i plotë dhe i arsyetuar do të publikohet brenda afateve ligjore.
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e z. Sali Berisha, me objekt shfuqizimin e vendimit nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vendimit nr. 00-2025-658, datë 22.04.2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën.
Në përfundim, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-658, datë 22.04.2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
3. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
4. Shpenzimet e përfaqësimit për kërkuesin, në vlerën 60.000 lekë, i ngarkohen Ministrisë së Financave.

