Nga ideja e hedhur pak ditë më parë në televizionin tonë, “Arkeologu i vogël” u bë sot realitet për nxënësit e klasave të pesta në Lushnjë. Në bashkëpunim me shkollat, Muzeu Historik i Lushnjës u dha fëmijëve mundësinë të përjetojnë një orë mësimi ndryshe, këtë herë si arkeologë.
Aktiviteti u organizua nga Përgjegjësi i Muzeut Historik të Lushnjës Dr. Niko Ferro, në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe drejtuesit e mësuesit e shkollave, me synim nxitjen e kureshtjes dhe afrimin e fëmijëve me arkeologjinë.
Nxënësit u përfshinë në procesin e gërmimit dhe kërkimit për objekte me interes arkeologjik. Zbulimi i pjesëve identifikimi i tyre dhe bashkimi i fragmenteve të gjetura u kthyen në një eksperiencë njëkohësisht mësimore dhe argëtuese.
Përmes praktikës fëmijët mundën të prekin nga afër atë që mësojnë në libra duke krijuar një lidhje më të drejtpërdrejtë me historinë dhe trashëgiminë kulturore.
Bashkëpunimi mes Muzeut Historik dhe Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar synon që aktivitete të tilla edukuese të vijojnë edhe në të ardhmen.
