Pas hyrjes në fuqi të orareve të reja për qarkullimin e mjeteve të transportit të mallrave, Policia Bashkiake e Lushnjës vijon kontrollet dhe informimin në terren. Synimi është zbatimi i rregullave të reja dhe garantimi i një qarkullimi më të sigurt e të sistemuar në qytet.
Në fokus janë drejtuesit e mjeteve dhe subjektet tregtare, të cilët po informohen për oraret dhe kufizimet e përcaktuara.
Respektimi i tyre merr rëndësi veçanërisht në oraret me fluks të shtuar, kur qarkullimi i mjeteve me tonazh të lartë mund të ndikojë në lëvizjen dhe sigurinë e këmbësorëve, fëmijëve, të moshuarve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës.
Në këtë fazë, Policia Bashkiake e Lushnjës e ka përqendruar punën te sensibilizimi dhe orientimi i drejtuesve të mjeteve, duke synuar bashkëpunimin me komunitetin dhe biznesin.
Rregullimi i qarkullimit, sipas Policisë Bashkiake, nuk synon pengimin e aktivitetit ekonomik, por krijimin e një balance mes funksionimit normal të bizneseve dhe sigurisë së qytetarëve.
Monitorimi në terren do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa drejtuesit e mjeteve dhe subjektet tregtare do të orientohen për respektimin e orareve të përcaktuara.
Më shumë rregull në qarkullim, më shumë siguri për qytetarët dhe më shumë bashkëpunim me komunitetin dhe biznesin.
