Situata e zjarreve në vend paraqitet e përmirësuar gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa shumica e vatrave të raportuara janë shuar.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nga 32 vatra zjarri të evidentuara, 28 janë shuar plotësisht, 3 vijojnë të jenë nën monitorim dhe vetëm një vatër mbetet aktive, në zonën e Gallatës në Kurbin.

Forcat operacionale vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri për çdo situatë të mundshme. Reshjet e shiut, të rëna gjatë natës, kanë ndikuar në përmirësimin e situatës.

“Ministria e Mbrojtjes – informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit. Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, prej të cilave 28 janë shuar plotësisht, 3 mbeten nën mbikëqyrje dhe vetëm 1 vatër vijon aktive.

Në operacionet për përballimin e zjarreve janë angazhuar 426 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 92 efektivë, 10 mjete, 1 dron dhe 1 autoambulancë.

Situata paraqitet ndjeshëm më e përmirësuar. Në Qarkun Tiranë, vatra në Malin e Dajtit, ku gjatë ditës së djeshme operuan edhe 33 forca ushtarake, është fikur, ndërsa e fikur rezulton edhe vatra në Malin me Gropa.

Në Qarkun Dibër, vatrat në Lundre–Madhesh, bashkia Mat, në Cerrujë të Klosit dhe në Selishtë mbahen nën mbikëqyrje, pa rrezik për zonat e banuara.

E vetmja vatër aktive mbetet ajo në fshatin Gallatë, njësia administrative Milot, Bashkia Kurbin, e ardhur nga territori i Bashkisë Mat. Terreni i vështirë pengon operimin e mjeteve, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Qarkun Shkodër, vatrat në Porav, Rragam dhe malin e Tërbunit rezultojnë të fikura.  Po ashtu, janë fikur vatrat e raportuara në Fier/Mallakastër, Elbasan dhe Korçë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, shkruan Ministria e Mbrojtjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds