Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar funksionimin e portalit të ri “Pasqyra Albania”, duke e cilësuar atë si një “kontratë kushtetuese” mes qytetarit dhe shtetit.

Sipas Ramës, portali nuk do të shërbejë thjesht për të publikuar deklaratat e qeverisë, por do t’i japë qytetarit mundësinë të shohë se çfarë po bën qeveria në emër të tij, pse merret një vendim, cili institucion është përgjegjës dhe ku mund të gjenden dokumentet dhe afatet përkatëse.

“Me fjalë të tjera, për t’u kthyer te portali dhe portalet, e kam parasysh këtu jo portalet mediatike, por ato institucionale, ato sot janë rafte. Vendosin informacion dhe e lënë qytetarin të gjejë çfarë të mundet e t’i kuptojë si të mundet. Pasqyra Albania është kontratë, një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin, ku qytetari nuk gjen thjesht çfarë tha qeveria sot, por gjen çfarë po bën qeveria në emrin tim. Gjen pse qeveria po merr një vendim ose një tjetër, gjen kush e ka në dorë këtë apo atë çështje që mua më intereson. Me cilin ligj ose dokument unë mund të provoj apo konsultoj këtë që po bëhet, ku gjendet sot ecuria e procesit, dhe jo vetëm procesin e tij individual, por çdo proces. Një qytetar sot nuk mund të fajësohet pse bie pre e dezinformimit lidhur me shërbimet e Republikës së Shqipërisë, sepse nuk e ka mundësinë t’i referohet kantierit përkatës. Pasqyra Albania do të jetë portali që qytetari mund t’i drejtohet vetë se çfarë po bëhet me kërkesat e tij.

Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, jo me muhabete, me procesverbale, jo me komunikata për shtyp, çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh realisht. Kjo e ndryshon tërësisht pozitën e qytetarit dhe kjo i jep qytetarit një nga gjërat që atij i mungojnë shumë, duke e kaluar nga një kërkues në xhungël, në labirinthin e pasqyrave digjitale të informacionit dhe nga një viktimë e dezinformimit, në një kapacitet të plotë mbikëqyrësi. Te Pasqyra mund të gjejë të gjithë bazën faktike, dokumentare, shifrën, provën, procesverbalin, mendimin e ekspertit, arsyen e vonesës, e ndërkohë, të gjithë personat përgjegjës lidhur me çfarë nuk shkon, janë në drejtën e diellit”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds