Shkarkohet drejtoresha e filialit të Postës në Durrës, Elisabeta Mataj, ndërsa mësohet se është kallëzuar për ndjekje penale nga drejtuesit e Postës Shqiptare, pas një kontrolli të ushtruar në filialin e Durrësit për abuzime.Njoftimi për kontrollin në filialin e Durrësit është dhënë nga vetë Posta Shqiptare, e cila ka deklaruar se janë konstatuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave dhe se, pas kësaj, ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe e ka referuar rastin në prokurori, duke depozituar kallëzim penal.

Dyshohet për abuzim prej 3 milionë eurosh.

Ndërkaq mësohet se ka dhënë dorëheqjen menjëherë dhe drejtuesja e financës Valbona Hoti Duni.

Vetë Poasta Shqiptare ka reaguar me një njoftim zyrtar ku shprehet “Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.

Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.

Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.

Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.

Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit.”

Elisabeta Mataj u emërua në krye të filialit të postës së Durrësit në tetor të vitit 2025, pasi drejtuesja e mëparshme Etleva Budini, fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet e 11 majit, ku garoi në listat e hapura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds