Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pas dy konflikteve të ndodhura në Kamëz dhe në zonën e Kombinatit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 20 vjeç dhe O. E., 21 vjeç, të dyshuar se janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta në fshatin Zall-Herr, ku dyshohet se kanë goditur me grushte dy shtetas.
Policia bën të ditur se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin O. Z., 37 vjeç, pasi dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Thoma Goxha”, në zonën e Kombinatit, ka goditur fizikisht dy persona, duke u shkaktuar dëmtime.
Në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe shtetasi K. L., 33 vjeç, i dyshuar si i përfshirë në konflikt. Policia vijon punën për kapjen e tij.
Pamjet e konfliktit në zonën e Kombinatit janë publikuar edhe në rrjetet sociale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
