Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas vendimit të Këshillit të Qarkut Shkodër për t’i dhënë statusin “Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra më 6 tetor 2025 gjatë ushtrimit të detyrës.
Në një deklaratë zyrtare, Shoqata e Gjyqtarëve e ka cilësuar vendimin një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të procesit administrativ për njohjen e këtij statusi.
Sipas Shoqatës, kjo ka qenë një nga kërkesat kryesore dhe unanime të ngritura në Konferencën e Gjyqtarëve të zhvilluar më 9 tetor 2025, ndërsa vendimmarrja e Këshillit të Qarkut Shkodër është mirëpritur si një vlerësim i merituar për gjyqtarin e vrarë në krye të detyrës.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve u ka bërë thirrje edhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të përmbyllin sa më shpejt procedurat për njohjen zyrtare të statusit “Dëshmor i Atdheut” për Astrit Kalanë.
“Ky është trajtimi i denjë dhe ligjor i cilitdo shtetasi që vritet në krye të detyrës”, thuhet në deklaratën e Shoqatës.
Astrit Kalaja u vra gjatë ushtrimit të funksionit të tij si gjyqtar më 6 tetor 2025, ndërsa ngjarja shkaktoi reagime të shumta nga sistemi i drejtësisë dhe institucionet shtetërore.
