Evropa po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit që ka shkaktuar pasoja të rënda shëndetësore dhe emergjenca të shumta në disa shtete, ndërsa meteorologët paralajmërojnë për temperatura edhe më të larta në ditët në vijim.
Në Francë, autoritetet shëndetësore raportuan 2,025 vdekje shtesë gjatë javës së fundit të qershorit, në kulmin e valës së të nxehtit. Sipas të dhënave zyrtare, vdekjet janë rritur me rreth 29% krahasuar me javën e mëparshme, me një rritje të ndjeshme te personat mbi 45 vjeç.
Vendi regjistroi gjithashtu ditën më të nxehtë të dokumentuar ndonjëherë mesatarisht në nivel kombëtar, më 24 qershor, kur temperaturat në Paris iu afruan 41 gradë Celsius dhe gjysma e territorit u vendos në alarm të kuq
Autoritetet franceze paralajmërojnë se shifrat mund të jenë edhe më të larta, duke e cilësuar numrin aktual si një nënvlerësim të mundshëm.
Situata është e ngjashme edhe në vende të tjera të Evropës. Në Belgjikë, janë raportuar mbi 1,200 vdekje shtesë gjatë valës së të nxehtit, ndërsa në Holandë autoritetet flasin për rreth 480 vdekje të tepërta, kryesisht te personat e moshuar.
Meteorologët paralajmërojnë se një tjetër valë e nxehti po formohet në Atlantik dhe pritet të përfshijë Francën, Spanjën dhe Britaninë e Jugut gjatë fundjavës, me temperatura që mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa zona.

Ndërkohë, në Francën jugore dhe Gadishullin Iberik, autoritetet kanë rritur masat e gatishmërisë për shkak të rrezikut të lartë të zjarreve pyjore. Mijëra vatra zjarri janë regjistruar që nga fillimi i verës, duke detyruar edhe evakuime masive në disa rajone.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike po e përkeqësojnë ndjeshëm situatën, duke bërë që Evropa të ngrohet me ritme dy herë më të shpejta se mesatarja globale, çka sjell më shumë valë të nxehti, zjarre dhe presion mbi burimet ujore.
