Myzeqeja është fusha më e madhe e Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej 1350 km2, një gjatësi prej 65 km dhe gjerësi prej 50 km formon në vetvete një krahinë gjeografike dhe etnografike nga më të mëdhatë në vendin tonë.
Klima dhe relievi i alternuar fushoro-kodrinor ka favorizuar kultivimin e ullirit prej shekujsh. Ulliri është kultivuar përgjatë Myzeqesë në zonat kodrinore të Divjakës, Ardenicës, Radostinës, Pojanit apo Levanit si dhe në periferi të saj, atje ku tokat bujqësore nuk mbanin lagështi.
Në manastirin e Ardenicës ruhet në gjendje shumë të mirë mulliri i vajit një vepër e mirëfilltë e “inxhinierisë popullore”. Deri në mesin e shekullit të kaluar ai ishte në gjendje pune dhe përpunonte sasi të konsiderueshme vaji ulliri. Kultivimi i ullirit vazhdoi të rritej dhe të lihej si trashëgimi pasi ulliri është i njohur për vlerat e tij ushqyese, kuruese dhe për më tepër ekonomike.
Tradita vazhdoi edhe gjatë viteve të komunizmit ku përveç shtetëzimit të kësaj kulture, kooperativat bujqësore dhe NB-të, mbollën përgjatë brezave kodrinorë të kësaj krahine me dhjetra blloqe të reja ullinjsh.
Ndërrimi i sistemeve në fillim të viteve 90’ të shekullit të kaluar e ndryshoi gjendjen e kësaj nëndege të bujqësisë. Privatizmi i tokës hapi të tjera perspektiva që u shoqëruan me përmirësimin e kapaciteteve ekzistuese dhe mbjelljen e mijërave rrënjëve të reja, përfshirë edhe kultivarë të huaj. Por në ndryshim nga tradita ku ulliri kultivohej vetëm në zonën kodrinore në këto vite kultivarët e rinj mund t’i hasësh përgjatë gjithë fushës, ku fermerë të shumtë, jo vetëm që kanë mbjellë blloqe ullinjsh, por kanë krijuar edhe plantacione të vërteta.
Vitin e kaluar pati mbiprodhim ulliri nga pemët e Myzeqesë dhe bashkë me to edhe mbiprodhim vaji të ullirit. Fermerët fillimisht u përballën me mungesën e tregut të shitjes dhe e mbajtën prodhimin në magazina, derisa gjetën pas muajit mars, rrugët për ta çuar atë jashtë vendit, në Itali e Spanjë.
