Franca po përballet me një nga skandalet më të rënda të viteve të fundit në sistemin arsimor, pas nisjes së hetimeve për dhunë dhe abuzime seksuale ndaj fëmijëve në shkolla dhe qendra pas shkollore. Autoritetet franceze kanë konfirmuar mbi 100 raste nën hetim, ndërsa viktimat përfshijnë edhe fëmijë shumë të vegjël. Skandali ka shkaktuar reagime të forta publike dhe protesta të prindërve në Paris.

Franca po përballet me një nga skandalet më të rënda të viteve të fundit në sistemin arsimor, pasi autoritetet kanë nisur hetimet për dhunë fizike, abuzime seksuale dhe përdhunime të dyshuara ndaj fëmijëve në dhjetëra shkolla publike dhe qendra pas shkollore.

Sipas prokurorisë së Parisit, mbi 100 raste janë aktualisht nën hetim, ndërsa viktimat përfshijnë edhe fëmijë nën moshën 5 vjeçare.

Hetimet fokusohen tek të ashtuquajturit kujdestarë, persona të cilët merren me fëmijët gjatë pushimeve, drekës, gjumit të pasdites dhe aktiviteteve pas mësimit.

Në Francë, këta punonjës nuk punësohen drejtpërdrejt nga shkollat apo ministria e Arsimit, por nga bashkitë lokale, shpesh pa trajnim profesional dhe me kontrata të përkohshme.

Prindërit dhe grupet mbrojtëse të fëmijëve thonë se prej vitesh kanë denoncuar raste të dhunës, por institucionet nuk i kanë marrë seriozisht.

Avokatët që përfaqësojnë familjet në Paris deklarojnë se disa fëmijë kanë përjetuar trauma të rënda psikologjike.

Në një nga rastet më tronditëse, është abuzmi me një djalë trevjeçar. I mituri refuzonte të hynte në shkollë dhe shpërthente në krizë paniku para hyrjes, ndërsa as prindërit dhe as drejtuesit e shkollës nuk e dinin arsyen reale të frikës së tij. Një tjetër rast përfshin një kujdestar të akuzuar për përdhunimin e një vajze trevjeçare në një shkollë në Paris.

Skandali ka shkaktuar zemërim të madh publik dhe protesta të prindërve jashtë bashkisë së Parisit.

Kryetari i ri socialist, Emmanuel Grégoire, e quajti situatën një dështim të rëndë të sistemit dhe njoftoi një plan prej 20 milionë eurosh për reformimin e kordinatorëve. Ai zbuloi gjithashtu se vetë kishte qenë viktimë e abuzimit seksual gjatë fëmijërisë.

Vetëm nga janari deri në prill, bashkia e Parisit pezulloi 78 kujdestarë, mes tyre 31 të dyshuar për abuzime seksuale.

Organizatat e prindërve paralajmërojnë se problemi nuk kufizohet vetëm në Paris, por është përhapur në të gjithë Francën. Sipas tyre, sistemi ka funksionuar për vite me heshtje dhe mungesë kontrolli, duke lënë fëmijët të pambrojtur brenda institucioneve që duhej t’i garantonin siguri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *