Vëzhguesve të marrëdhënieve të Berlinit me rajonin e Europës Juglindore u ra menjëherë në sy, se qeveria Merz shfuqizoi funksionin e të Ngarkuarit të Posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, i vendosur në kohën e qeverisë së mëparshme.
Këtë pozicion e mbante politikani i partisë së Gjelbër, Manuel Sarrazin. Gjatë aktivitetit të tij rajoni ishte rregullisht në listën e prioriteteve të politikës së jashtme gjermane, kujton DW. Por ndonëse një lëvizje e tillë e kabinetit të ri shkaktoi fillimisht skepticizëm mbi vazhdimësinë e politikës ndaj rajonit, turneu i Ministrit të Jashtëm Johann Wadephul në gjashtë vende të Ballkanit është parë si tregues i faktit që qeveria gjermane mbetet e angazhuar në rajon.
Peter Beyer, përfaqësues i CDU-së dhe anëtar i komisionit të politikës së jashtme të Bundestagut, thekson se Ballkani Perëndimor mbetet një prioritet strategjik i politikës së jashtme gjermane. Ka befasuar ndërkohë me vlerësimin e saj pozitiv për angazhimin e qeverisë gjermane në rajon vjen nga radhët e partisë opozitare Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila zakonisht mban qëndrime kritike ndaj koalicionit qeverisës.
Përfaqësues të AfD-së thanë për DW se rajoni politikisht nuk ka dalë krejtësisht jashtë vëmendjes. Iniciativat diplomatike kanë vazhduar, janë zhvilluar bisedime në kuadrin e procesit të Berlinit dhe janë shënuar disa përparime në hapa të caktuar të integrimit drejt Bashkimit Europian.
Pikërisht për sa i përket stabilitetit në Europën Juglindore, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë e rëndësishme e politikës së sigurisë për Gjermaninë dhe Europën. Por ata insistojnë që Gjermania do të duhet të marrë një rol udhëheqës dhe jo vetëm të reagojë ndaj krizave apo nismave nga Brukseli, duke kërkuar që kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, Berlini të ketë një vijë të qartë strategjike.
