Studimet e reja tregojnë se mikroplastikat në ajër, të ardhura edhe nga Zona e Madhe e Mbeturinave të Paqësorit, po kontribuojnë në ngrohjen globale më shumë sesa mendohej, duke hapur një dimension të ri të krizës klimatike.
Në mes të Oqeanit Paqësor, një nga simbolet më të mëdha të ndotjes në botë po fsheh një kërcënim të ri. Zona e Madhe e Mbeturinave të Paqësorit nuk është vetëm një grumbull mbetjesh plastike, ajo është gjithashtu një burim i padukshëm grimcash që përhapen në ajër.
Shkencëtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë zbuluar se mikroplastikat dhe nanoplastikat, të krijuara nga shpërbërja e mbetjeve, ngrihen në atmosferë dhe ndërveprojnë me rrezet e diellit.
Ndryshe nga sa mendohej më parë, këto grimca nuk janë neutrale për klimën. Sipas studimit të publikuar në revistën “Nature”, plastikat me ngjyra të errëta si e zeza, e kuqja apo bluja, thithin shumë më tepër nxehtësi, duke kontribuar në ngrohjen globale.
“Janë si një bluzë e zezë, thithin nxehtësinë,” shpjegojnë studiuesit.
Burimi nuk është vetëm oqeani. Grimca plastike çlirohen edhe nga gomat e makinave, deponitë dhe mbeturinat urbane. Sa më të vogla të jenë grimcat, aq më gjatë qëndrojnë në ajër dhe aq më shumë ndikojnë në klimë.
Edhe pse ndikimi aktual konsiderohet i moderuar, ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet me rritjen e prodhimit të plastikës.
Ndërsa bota përballet me ndryshimet klimatike, ky zbulim shton një tjetër hallkë në zinxhirin e ndotjes duke treguar se plastika nuk ndot vetëm tokën dhe detin, por edhe ajrin që thithim.
