T’i frikësohesh dashurisë, domethënies së jetës, asaj force që nuk kufizohet në ndjenjë por shndërrohet në akt krijimi dhe vetëkapërcimi, do të thotë të dyshosh në vetë themelin e qenies sate. Është një pasiguri që nuk lind nga mungesa e dashurisë, por nga pamundësia për ta përballuar madhështinë e saj, atë përzierje të pashmangshme dhimbjeje dhe kënaqësie, ku njeriu vihet përballë vetes pa shtirje.
Siç do të nënkuptonte Søren Kierkegaard, ankthi nuk është thjesht frikë, por “marramendja e lirisë” dhe dashuria është një nga format më të larta të kësaj lirie, sepse kërkon të zgjedhësh tjetrin pa garanci. Ndërsa Friedrich Nietzsche do ta shihte këtë frikë si hezitim për të përqafuar jetën në tërësinë e saj, me gjithë tragjiken dhe ekstazën që ajo mbart.
Dashuria, në këtë kuptim, nuk është vetëm përjetim, ajo është një provë. Një provë që na zhvesh nga iluzionet, na nxjerr nga rehati e na detyron të hyjmë në thellësi, aty ku çdo ndjesi bëhet më e mprehtë dhe çdo e vërtetë më e pakompromis. T’i frikësohesh asaj është të tërhiqesh përpara këtij intensiteti, të shmangësh jo vetëm tjetrin, por edhe vetveten, sepse në fund, dashuria është mënyra më e plotë për ta njohur dhe për ta rrezikuar veten.
Frika nga dashuria nuk është një paradoks poetik, është një mekanizëm i strukturuar i mbijetesës psikike, i cili shpesh maskohet si maturi, si dinjitet, madje edhe si përvojë. Ajo që ne e quajmë “frikë nga dashuria” është, në shumë raste, frika nga ekspozimi i vetes, nga humbja e kontrollit, nga shembja e narrativave që kemi ndërtuar për të mbrojtur veten.
Siç sugjeron Giacomo Dacquino, dashuria nuk shuhet thjesht nga koha, ajo gërryhet nga mungesa e investimit të ndërgjegjshëm emocional dhe intelektual. Në këtë kuptim, koha nuk është shkaktare, por amplifikuese e boshllëkut. Kur marrëdhënia reduktohet në një bashkëjetesë funksionale, ku partnerët takohen vetëm në lodhje, në detyrim, në mbetje energjie, atëherë intimiteti nuk vdes papritur, ai tretet si një substancë e ekspozuar ndaj ajrit.
Këtë e thellon edhe Erich Fromm, i cili në veprën e tij mbi artin e dashurisë argumenton se dashuria nuk është një ndjenjë spontane që “na ndodh”, por një aftësi që kërkon disiplinë, përqendrim dhe vetëdije. Sipas tij, shumica e njerëzve nuk kanë problem të dashurojnë, por të qëndrojnë në dashuri, sepse kjo kërkon një punë të vazhdueshme mbi veten. Në këtë perspektivë, frika nga dashuria është në thelb frikë nga ky angazhim i thellë dhe i pakthyeshëm.
Ndërkohë, Sigmund Freud do ta lexonte këtë fenomen si një konflikt mes dëshirës për lidhje dhe impulseve të pavetëdijshme për vetëmbrojtje. Ne kërkojmë dashurinë si shpëtim, por sapo ajo fillon të na kërkojë reciprocitet të plotë, aktivizohet ankthi i humbjes së autonomisë. Kjo krijon atë gjendje pezull që përshkruan, një martesë që nuk guxohet të prishet dhe një marrëdhënie që nuk mund të përjetohet.
Në një tjetër plan, Zygmunt Bauman e quan këtë epokë “dashuri e lëngshme”, ku lidhjet janë të brishta, të përkohshme dhe të kushtëzuara nga një kulturë që promovon konsumimin më shumë se përkushtimin. Në këtë realitet, frika nga dashuria nuk është vetëm individuale, por strukturore, ne jemi të trajnuar të mos rrënjosemi, sepse rrënjët kërkojnë kohë, durim dhe rrezik.
E megjithatë, ajo që ky shtjellim sjell, prek me një ndjeshmëri të rrallë dimensionin ekzistencial të kësaj frike. Ajo nuk është vetëm shmangie e një ndjenje, por një mënyrë jetese që gradualisht e mpin qenien duke e shkëputur nga çdo fijëz ndijimi, duke shterruar çdo vërshim dhe venitur bimësinë e harbuar të eshit. Kur konkludojmë sakaq në rezultanten faktike, se “zemrat zbrazen dhe trupat vdesin”, kjo rezonon me mendimin e Rainer Maria Rilke, i cili shkruante se dashuria është një nga detyrat më të vështira që i jepen njeriut, sepse ajo kërkon që dy vetmi të mbrojnë, të kufizojnë dhe njëkohësisht të zgjerojnë njëra-tjetrën. Pa këtë përpjekje, marrëdhënia bëhet një simulim i afërsisë.
Në të njëjtën vijë, Alain de Botton vëren se ne hyjmë në dashuri me pritshmëri romantike, por pa një edukim emocional që të na mësojë si të përballojmë zhgënjimin, monotoninë dhe ndryshimin. Dhe kur këto shfaqen, siç do të shfaqen domosdoshmërisht, ne i interpretojmë si prova se dashuria ka dështuar, jo si pjesë e natyrshme e saj.
Ajo që mbetet thelbësore është ideja se dashuria nuk pranon shtirje. Kjo është një tezë që do ta mbështeste edhe Søren Kierkegaard, kur shkroi se dashuria e vërtetë kërkon një akt besimi, një “kërcim” përtej racionales dhe garancive, po, të hedhësh valle në bashin e një anijeje që përpëlitet në dallgë.
Kush nuk është i gatshëm për këtë kërcim, mbetet në periferinë e përvojës, duke e vëzhguar dashurinë si një spektator, jo si një pjesëmarrës, si një i vdekur që ka refuzuar të largohet, duke u mjaftuar me frymimin.
Në fund, frika nga dashuria nuk është mungesë ndjenje, por mungesë guximi për ta përballuar atë në tërësinë e saj, me rrezikun, me pasigurinë, me kërkesën sakrifikese për transformim. Dhe ndoshta këtu qëndron edhe tragjedia moderne, jo se nuk dimë të dashurojmë, por se kemi mësuar shumë mirë si ta shmangim dashurinë pa e pranuar këtë, të jetojmë në një botë që nuk na përket, të jeni pjesë e një qenieje që ka lejuar të zbrazet nga çdo plotësi që i jep puls dhe kuptim.
