Shtetet e Bashkuara po i paralajmërojnë kompanitë e transportit detar se mund të përballen me sanksione për shkak të kryerjes së pagesave ndaj Iranit për të kaluar në mënyrë të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit. Alarmi u dha të premten nga Zyra Amerikane e Kontrollit të Aseteve të Huaja që po vijon të rrisë tensionin mes SHBA e Iranit mbi kontrollin e Ngushticës së Hormuzit. Rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror kalonte në këtë ngushticë gjatë kohës së paqes. Irani e mbylli ngushticën duke kërcënuar se do të sulmonte anijet pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën luftën më 28 shkurt. Por më vonë Teherani vendosi që disa anijeve t’u ofronte kalim të sigurt përmes tarifave. “Ata duan të bëjnë një marrëveshje, unë nuk jam i kënaqur me të, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump të premten në Shtëpinë e Bardhë. Ai nuk dha hollësi mbi ato që i shihte si të meta të saj, por shprehu zhgënjim me udhëheqjen iraniane. “Është një lidership shumë i paqëndrueshëm”, tha Trump. “Të gjithë duan të bëjnë një marrëveshje, por të gjithë janë të çrregullt.”, shtoi ai. Ndërkohë agjencia shtetërore e lajmeve IRNA e Iranit raportoi se Teherani ua dorëzoi planin e tij ndërmjetësve në Pakistan të enjten në mbrëmje. Ndërkohë Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka informuar shumë nga homologët e tij rajonalë mbi iniciativat e vendit për t’i dhënë fund izolimit.
