Dy operacione të ndara policore në Divjakë e Fierkanë çuar në arrestimin e tre shtetasve të përfshirë në veprimtari kriminale.
Në rastin e parë, në një tjetër operacion të koduar “Flagranca”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, arrestuan në flagrancë dy shtetas, T. F., 26 vjeç, dhe A. H., 29 vjeç, në fshatin Grabian, Divjakë.
Të rinjtë dyshohet se siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme, të cilën më pas e ndanin në qindra doza për shitje në zona të ndryshme.
Ata u kapën në momentin që po lëviznin me automjet në fshatin Grabian, në flagrancë me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë të ndarë në doza të cilat do t’i shisnin në zona të ndryshme.
Ndërsa gjatë kontrollit fizik dhe në banesa u gjetën dhe u sekuestruan dhjetëra doza të tjera lënde narkotike (kokainë dhe kanabis), të cilat u morën në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e përdorur, një grirëse për përpunimin e lëndës narkotike, një peshore elektronike dhe 3 aparate celularë.
Ndërkohë një 53-vjeçar i shpallur në kërkim është vënë në pranga, pasi dyshohet se ka tentuar të grabisë një të moshuar në fshatin Pishë Poro. Sipas policisë, shtetasi P. Dh. është futur i maskuar në banesë, e ka dhunuar dhe kanosur me thikë për t’i marrë para, por është larguar pa arritur të realizojë vjedhjen.
Materialet procedurale për të tre rastet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
