Norvegjia ka planifikuar të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për adoleshentët dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, njoftoi sot kryeministri Jonas Gahr Støre, duke u bërë vendi i fundit nordik që ndjek shembullin e Australisë.
Støre tha se një propozim ligjor do të paraqitet në parlament deri në fund të vitit, duke shtuar se ai ka menduar për një ndalim të tillë që nga dita e parë e marrjes së detyrës si kryeministër.
Sipas planit, të rinjtë do të lejohen të përdorin platforma si “Instagram”, “Snapchat” dhe “TikTok” vetëm nga 1 janari i vitit, në të cilin mbushin 16 vjeç.
Kjo nismë pason vendimin e Australisë, e cila në dhjetor u bë vendi i parë, që kufizoi aksesin në rrjetet sociale, për personat nën 16 vjeç.
Masat kanë nxitur debate të gjera në nivel global, mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor dhe emocional të fëmijëve.
“Siguria e fëmijëve dhe të rinjve është një nga prioritetet kryesore në planin e qeverisë për Norvegjinë”, tha Støre.
