Kryeministri shqiptar Edi Rama mbërrin sot në Athinë ku pritet të marrë pjesë në samitin ekonomik të Delfit.
Mbërritja e Ramës në Athinë ka vënë në lëvizje edhe diplomacinë kur, siç mëson Top Channel, Rama është me gjasa i vetmi lider që do të pritet në një takim prej homologut të tij Mitsotakis në selinë e kryeministrisë në vilën Maximos.
Burime nga qeveria greke i thanë TCH se dy kryeministrat do të kenë një takim kokë më kokë paraditen e së mërkurës, çka tregon se të dy kryeministrat janë të vendosur të lënë pas mosmarrëveshjet dhe “inatet” që pasuan arrestimin e Fredi Bejlerit në pranverën e vitit 2023.
Pala greke ka vetëm çështjen e demarkimit të ujërave mes dy vendeve, çështje për të cilën është rënë dakord që palët ta adresojnë në Gjykatën e Hagës, por që u shty për shkak të ftohjes së marrëdhënieve dypalëshe.
Burime greke thanë se Athina është e gatshme të rinisë sa më shpejt diskutimet për këtë çështje, pasi ky vlerësohet si momenti i fundit në të cilin të dy palët mund të dalin me një marrëveshje që i kënaq të dyja palët.
Kjo sepse zhvillimet politike në vend mund të detyrojnë Mitsotakis të hyjë në zgjedhje të parakohshme edhe më shpejt se 2027, çka e vë atë nën trysni të ekstremit të djathtë brenda partisë që ai qeveris vendin, duke mos pranuar pra një marrëveshje që do t’i bëjë lëshime Tiranës zyrtare.
Nga ana tjetër, Tirana zyrtare ka vetëm çështjen e mbështetjes greke për përfundimin sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit, ku si pasojë e futjes në BE do t’i jepen automatikisht zgjidhje gjithë çështjeve reale mes dy vendeve, siç janë ato historike me ligjin e luftës që është ende në fuqi mes dy vendeve, por edhe çështjet teknike siç është marrëveshja e pensioneve mes dy vendeve, e cila do të zgjidhet automatikisht me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
