Një projektligj i propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon të ulë kostot e ndërtimit të rrjeteve të internetit me shpejtësi të lartë, duke hapur mundësinë për përdorimin e infrastrukturës ekzistuese dhe duke detyruar ndarjen e saj mes operatorëve të telekomunikacioneve.
Bëhet fjalë për draftin “Për masat për zvogëlimin e kostove të ndërtimit të rrjeteve të komunikimeve elektronike me kapacitete shumë të larta – Akti i Infrastrukturës Gigabit”. Ky hap ka për qëllim përshpejtimin e shtrirjes së rrjeteve të internetit.
Drafti i ligjit parashikon që operatorët dhe pronarët e infrastrukturës përfshirë shtyllat, kanalet dhe rrjetet nëntokësore të ofrojnë akses të hapur dhe të barabartë për të gjithë operatorët. Kjo masë do të mundësojë që investimet në infrastrukturë të mos përsëriten dhe të përshpejtohet zgjerimi i rrjeteve me fibra optike.
Një nga barrierat kryesore për zhvillimin e rrjeteve në disa zona ka qenë kostoja e lartë e punimeve civile. Ky draftligj synon ta zgjidhë këtë problem duke lejuar ndarjen e infrastrukturës, duke rritur efikasitetin e investimeve dhe duke zvogëluar çmimet për operatorët. Sipas relacionit shoqërues, këto ndryshime do të ndihmojnë në mbulimin më të gjerë të territorit me internet të shpejtë dhe të lirë.
Projektligji gjithashtu forcon rolin e autoriteteve rregullatore, të cilat do të vendosin kushte të qarta për përdorimin e infrastrukturës dhe do të monitorojnë qëndrueshmërinë e aksesit. Në rast mosmarrëveshjesh, autoriteti rregullator do të ketë mundësinë të ndërhyjë dhe të vendosë kushte të detyrueshme, duke shmangur pengesat që mund të vonojnë zhvillimin e rrjeteve të reja.
Në këtë kuadër, operatorët pritet të përfitojnë nga një ulje e ndjeshme e kostove kapitale, pasi do të mund të përdorin infrastrukturën ekzistuese dhe të shmangin investime të dyfishta. Nga ana tjetër, pronarët e infrastrukturës mund të përballen me detyrime të reja për ndarjen e aseteve dhe koordinimin e punimeve civile, që do të kërkojnë një riorganizim të proceseve të tyre.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij projektligji është harmonizimi me standardet e Bashkimit Evropian, ku ndarja e infrastrukturës është një praktikë e theksuar për të rritur konkurrencën dhe ulur kostot.
