Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 goditi brigjet e Indonezisë në orët e para të mëngjesit të së enjtes, duke shkaktuar panik të madh mes banorëve dhe dëme materiale në disa zona.
Epiqendra e tërmetit u regjistrua në Detin Moluça, pranë ishullit Ternate, në një thellësi prej rreth 35 kilometrash.
Si pasojë e lëkundjeve të forta, të paktën një person humbi jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur.
Viktima ishte një grua 70-vjeçare në rajonin e Sulawesiut të Veriut, e cila u godit nga rrënojat e një ndërtese.
Një tjetër person pësoi thyerje në këmbë pasi u hodh nga një ndërtesë në përpjekje për t’i shpëtuar tërmetit.
Fillimisht, Pacific Tsunami Warning Center lëshoi një alarm për cunami, duke paralajmëruar për valë të mundshme deri në 0.3 metra në brigjet e disa vendeve në rajon, përfshirë Japoninë dhe Filipinet.
Banorët e zonave të prekura përshkruan momente frike dhe kaosi.
Në qytetin Manado, shumë njerëz raportuan se lëkundjet ishin ndër më të fortat që kishin përjetuar në vitet e fundit.
Në Bitung, situata u përshkrua si kaotike, pasi njerëzit dolën me nxitim nga ndërtesat dhe bizneset pësuan ndërprerje të energjisë elektrike.
Prindërit u drejtuan menjëherë drejt shkollave për të marrë fëmijët e tyre, ndërsa autoritetet urdhëruan evakuimin e menjëhershëm në disa zona pranë bregdetit.
Në Sulaëesi dhe zonat përreth, ekipet e emergjencës nisën operacionet e kërkim-shpëtimit, duke kontrolluar ndërtesat e dëmtuara dhe duke ndihmuar të plagosurit.
Pas tërmetit kryesor, u regjistruan edhe disa pasgoditje me magnitudë 5.5 dhe 5.2. Autoritetet paralajmëruan se lëkundje të tjera mund të ndodhin në vijim, duke kërkuar kujdes të shtuar nga qytetarët.
Indonezia ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik, pjesë e të ashtuquajturit “Unaza e Zjarrit” në Paqësor, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.
