Nga tifozi më i thjeshtë dhe deri tek i pari i vendit, Albin Kurti, të gjithë në Kosovë dhe shqiptari duartrokitën përfaqësuesen “Dardane” për këtë rrugëtim fantastik në kualifikueset e Botërorit. Prishtina dhe çdo cep i botës ku ka shqiptar shijuan këtë ekip fantastik, ishte thjesht çështje fati dhe detajesh që i mohoi këtë ëndërr të madhe.
Në një reagim në rrjetet sociale kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shfaq krenar për atë që Kosova dha në këtë rrugëtim:
“Të mos harrojmë që përfaqësuesja jonë na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme duke na bërë krenarë aq shumë sa t’u jemi mirënjohës përgjithmonë e përkrah përherë. Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi”, shkruan ndër të tjera Kurti në reagimin e tij.

Zhgënjimi i madh u la në stadiumin “Fadil Vokrri”, pasi Vedat Muriqi dhe pjesa tjetër e ekipit po trajtohen si heronj në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani priti këtë të mërkurë përfaqësues të ekipit, ku me anë të një ceremonie të veçantë dekoroi Kombëtaren e Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave, si vlerësim për sukseset dhe përfaqësimin e denjë në arenën ndërkombëtare.

Nuk e fshehu krenarinë për këtë rrugëtim edhe presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë, Agim Ademi: “Jo çdo mbrëmje sjell rezultatin që e dëshirojmë, por çdo sfidë na bën më të fortë. Jam i bindur se Gladiatorët dardanë do të rikthehen më të fortë, me më shumë vendosmëri dhe me të njëjtin shpirt luftarak që na ka sjellë deri këtu”, shkruan Ademi.
