Në takimin e zhvilluar në njësinë 7 në kryeqytet, Kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur as përplasjen e ndodhur me deputeten Elisa Spiropali në mbledhjen e grupit, ku kritikoi mediat për raportimet e mbajtura pasi sipas tij nuk u morën me çështjet e tjera por I dhanë jehonë diskutimeve se çfarë I thanë socialistët njëri-tjetrit.
“Ishte e pabesueshme edhe për mua që besoj që nuk ka më çfarë më surprizon, – që ne mblidhemi në një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar me qeverinë, gjë që e kemi vendosur ta bëjmë çdo fundmuaji, për të trajtuar tema specifike, për të dëgjuar qeveria deputetët, deputetët qeverinë; i kushtojmë orë të tëra në këtë rast, çështjes së pronave, çështjes së shërbimit të kadastrës, problematikave në këtë shërbim, Fillojmë në orën 11 dhe dalim në orën 6 dhe mediat kombëtare, nuk po diskutoj tenxheret e vogla apo ato të mbushura me helm, që në mëngjes, po media kombëtare raportojnë për publikun çfarë i tha Edi Rama njërës e çfarë i tha Edi Rama tjetrit”.
Rama tha se është I pakënaqur, pasi pret më shumë sa I takon përmbushjes së reformave. Ai u ndal dhe tek çështja e rritjes së cmimit të naftës.
“Ne aty kemi edhe taksën e qarkullimit dhe ne e kemi bërë llogarinë, nëse ne e heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një automjet do duhet të paguajnë katërfishin e asaj që ju bie sot mesatarisht; disave ju bie edhe më pak, disave mund t’ju bjerë edhe më shumë. Atëherë në vend që t’ju ngarkojmë me katërfishin të gjithë, ne kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë. Kjo është logjika”.
