Gjon Buzuku nisi më 20 mars 1554 punën për shkrimin e “Mesharit”, veprës që shënon zanafillën e dokumentimit të gjuhës shqipe.
Ky tekst liturgjik, kopja e vetme e së cilës u zbulua rastësisht në Bibliotekën e Vatikanit në vitin 1740, përbën dëshminë më të plotë të shqipes së hershme.
“Meshari” përbëhej prej 110 fletësh (220 faqesh), nga të cilat kanë mbetur 94 fletë (188 faqe).
Për t’u përshtatur me natyrën fonetike të shqipes, Buzuku përdori alfabetin latin të pasuruar me pesë shkronja të veçanta, duke treguar një vetëdije të lartë gjuhësore që në shekullin XVI.
Shkrimi i “mesharit” zgjati plot një vit.
Në të shkruhej: “U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor.”
Françeskani At Justin Rrota ishte i pari që solli nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit në Shqipëri, më 1929-n tre riprodhime të fotografuara të librit më të hershëm të botuar në shqip.
