Kultivuesit e trangullit nga Lushnja, Fieri dhe Berati kanë protestuar sot në mesditë, pasi një prej pikave të grumbullimit ku dorëzojnë produktin ka ndërprerë grumbullimin. 24 tonë trangull është kthyer mbrapsht nga Gjermania për shkak se ka rezultuar me mbetje të një preparati i quajtur “oksamil” që është gjendur në analizën e bërë në vendin europian. Fermerët shprehen se këtë preparat kanë vite që e përdorin dhe shitet normalisht në farmacitë bujqësore, duke mos i informuar askush që ky preparat prej tre vitesh është i ndaluar për përdorim në vendet e Bashkimit evropian.
Grumbulluesi nga ana e tij është prononcuar për mediat duke deklaruar se ky preparat ashtu si dhe 26 preparate të tjera prej tre vitesh nuk lejohet të përdoret në vendet e B E. Në vendin tonë nuk ka laborator që të përcaktojë mbetjet e preparateve të ndaluara në BE dhe se çertifikata fitosanitare që shoqëron produktet shqiptare nuk ka asnjë vlerë. Gjithashtu përfaqësuesi i firmës grumbuese deklaron se në këto kushte do t’i shlyejë detyrimet ndaj fermerëve për 24 tonë trangull, por nuk do të mund të vazhdojë grumbullimin.
Përfaqësuesit e AKU Fier të pranishëm nuk kanë pranuar të prononcohen për këtë absurditet ku preparati shitet lirisht në farmacitë bujqësore në Shqipëri, ndërkohë që perimet që fermerët kultivojnë në sera do t’u shkaktojnë humbje kolosale nga mos shitja e prodhimit.
[lazy-load-videos-and-sticky-control id=”8qIUTwYSu4s”]
