Një gjykatë apeli në Hong Kong ka rrëzuar dënimin për mashtrim ndaj manjatit të medias dhe aktivistit pro-demokracisë Jimmy Lai. Vendimi përbën një fitore të rrallë ligjore për 78-vjeçarin, por nuk ndryshon ndjeshëm situatën e tij në burg. Vetëm pak javë më parë, ai u dënua me 20 vite heqje lirie sipas ligjit të sigurisë kombëtare të vendosur nga Pekini.
Një gjykatë apeli në Hong Kong ka rrëzuar këtë të enjte dënimin për mashtrim ndaj manjatit të medias dhe aktivistit pro-demokracisë Jimmy Lai, në një fitore të rrallë ligjore për të.
Lai, 78 vjeç, kritik i hapur i Partisë Komuniste kineze dhe themelues i gazetës tashmë të mbyllur Apple Daily, do të mbetet megjithatë në burg.
Vetëm pak javë më parë ai u dënua me 20 vite heqje lirie në një çështje tjetër të ngritur sipas ligjit të sigurisë kombëtare të vendosur nga Pekini.
Çështja e rrëzuar lidhej me akuzat për shkelje të kontratës së qirasë së zyrave të përdorura nga kompania mediatike e Lai-t. Prokuroria pretendonte se një firmë konsulence e kontrolluar prej tij kishte përdorur hapësirat me qira për qëllime të tjera nga ato të deklaruara.
Në vitin 2022, Lai ishte dënuar me pesë vjet e nëntë muaj burg për dy akuza mashtrimi dhe ishte gjobitur me 2 milionë dollarë.Gjykata e shkallës së parë kishte argumentuar se ai kishte fshehur përdorimin real të hapësirave.
Por gjykata e apelit vendosi se prokuroria nuk arriti të provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ishin bërë deklarime të rreme, duke rrëzuar të dy dënimet.
Megjithatë, ndikimi praktik në kohën totale të burgimit pritet të jetë i kufizuar. Gjykata që shqyrtoi çështjen e sigurisë kombëtare kishte lejuar që vetëm dy vite të dënimeve të kryheshin paralelisht, ndërsa 18 vitet e tjera do t’i shtohen dënimit të mëparshëm, çka ka ngritur shqetësime se Lai mund të kalojë pjesën e mbetur të jetës në burg.
Rasti i Lai është kthyer në simbol të debatit për lirinë e shtypit në Hong Kong. Autoritetet vendase dhe ato kineze këmbëngulin se çështjet ndaj tij nuk lidhen me pavarësinë e medias, por me shkelje të ligjit.
Ndërkohë, Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka deklaruar se Lai I cili ka shtetësi britanike është dënuar për ushtrimin e të drejtës së tij për lirinë e shprehjes dhe ka kërkuar lirim të menjëhershëm për të.
