Duke e cilësuar situatën aktuale si “një kthesë historike”, presidenti amerikan Donald Trump paraqiti në fjalimin e tij vjetor para Kongresit, zakonisht një pikëpamjen optimiste për pozitën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës — në kontrast me perceptimet e shumë votuesve, sipas “NBC News”.
I veshur me kostum blu të errët dhe kravatë të kuqe, përpara një seance të përbashkët të Kongresit në Dhomën e Përfaqësuesve, Trump renditi statistika dhe politika për të mbështetur pretendimin se vendi është “më i madh, më i mirë, më i pasur dhe më i fortë se kurrë më parë”, duke e përshkruar periudhën si “epoka e artë e Amerikës”.
Fjalimi i tij, që zgjati një orë e 47 minuta, dhe u cilësua si më i gjati i këtij lloji.
Presidenti theksoi se ekonomia amerikane “po lulëzon si kurrë më parë” dhe premtoi se do të ruajë tarifat e njëanshme ndaj mallrave të huaja, pavarësisht një vendimi të pafavorshëm të Gjykatës Supreme.
Ai deklaroi se tarifat do të mbeten në fuqi përmes bazave alternative ligjore dhe, në fund, mund të zëvendësojnë tatimin mbi të ardhurat — ndonëse shumica e ekonomistëve argumentojnë se kostoja e tyre bie kryesisht mbi konsumatorët amerikanë.
Trump promovoi gjithashtu politikat e tij fiskale për vitin 2025, përfshirë heqjen e taksave mbi bakshishet dhe krijimin e llogarive të investimit për të porsalindurit, të quajtura “Trump Accounts”, të cilat sipas tij mund të arrijnë mbi 100 mijë dollarë deri në moshën 18-vjeçare me kontribute modeste shtesë.
Megjithatë, sondazhet tregojnë se 13 muaj pas nisjes së mandatit të tij të dytë, shumë amerikanë mbeten të pakënaqur me gjendjen ekonomike dhe me mënyrën si ai ka menaxhuar çështje kyçe, përfshirë fushatën e deportimeve masive.
Ende mbetet e paqartë nëse fjalimi do të ndikojë në votuesit përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Republikanët shprehën mbështetje të plotë pas fjalimit. Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan për Fushatat në Dhomë, Richard Hudson, deklaroi se partia është krenare që qëndron përkrah presidentit për të çuar përpara një axhendë të fokusuar në siguri dhe mundësi.
Fjalimi u shoqërua me tone të ashpra ndaj demokratëve dhe me përplasje të drejtpërdrejta në sallë.
Kur Trump deklaroi se detyra e parë e qeverisë amerikane është të mbronte qytetarët amerikanë, jo emigrantët e paligjshëm, disa ligjvënës demokratë reaguan me thirrje kundërshtuese.
Debati u ndez veçanërisht pas referencave të presidentit për mbylljen e kufirit me Meksikën dhe zgjerimin e deportimeve.
Në një moment më konsensual, Trump përshëndeti ekipin amerikan të hokejit në akull, fitues të medaljes së artë olimpike, duke marrë duartrokitje në sallë.
Ai gjithashtu bëri thirrje për ndalimin e tregtimit të aksioneve nga ligjvënësit — një propozim që kërkon miratim nga Kongresi, i cili aktualisht përballet me ngërçe politike dhe ndarje të thella partiake.
Në politikën e jashtme, presidenti u ndal te tensionet me Iranin, duke vlerësuar operacionin e qershorit që, sipas tij, dobësoi kapacitetet bërthamore të Teheranit.
“Preferoj ta zgjidhim këtë përmes diplomacisë, por nuk do të lejoj kurrë që sponsori numër një i terrorizmit në botë të ketë armë bërthamore”, tha ai, duke përsëritur doktrinën e tij për “paqen përmes forcës”.
Demokratët kritikuan ashpër fjalimin. Senatori Chris Coons e cilësoi raportin si jashtëzakonisht të ulët, ndërsa ligjvënësit e tjerë e akuzuan presidentin për shmangie të çështjeve të ndjeshme, përfshirë publikimin e plotë të dosjeve lidhur me Jeffrey Epstein.
Ndërsa SHBA-ja përgatitet të festojë 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, Trump e mbylli fjalimin me referenca ndaj etërve themelues dhe qëndrueshmërisë së “eksperimentit amerikan”.
Por, përtej retorikës triumfuese, ndarjet politike dhe skepticizmi publik mbeten të thella.
