Të paktën 60 persona kanë humbur jetën në një valë të përgjakshme dhune që ka përfshirë 20 shtete të Meksikës, pas vrasjes së bosit të drogës Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, udhëheqësi i Jalisco New Generation Cartel (CJNG).
Operacioni u zhvillua në shtetin e Jalisco nga ushtria meksikane me mbështetjen e Gardës Kombëtare dhe Forcave Ajrore. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, informacionet shtesë të siguruara nga Shtetet e Bashkuara ndihmuan në lokalizimin e 59-vjeçarit, por asnjë forcë amerikane nuk mori pjesë drejtpërdrejt në operacion.
Gjatë ndërhyrjes pati një shkëmbim të ashpër zjarri me truprojat e tij. “El Mencho” u plagos rëndë dhe ndërroi jetë gjatë transferimit nga Tapalpa drejt Mexico City. Të paktën gjashtë pjesëtarë të grupit të tij u vranë, ndërsa tre ushtarë mbetën të plagosur.
Pas konfirmimit të vdekjes së liderit të CJNG, shpërthyen trazira të dhunshme në disa qytete. Anëtarë të organizatës kriminale bllokuan rrugët me mjete të djegura, hodhën objekte metalike në asfalt për të penguar qarkullimin dhe u vunë flakën bankave e bizneseve.
Ministri i Sigurisë, Omar García Harfuch, deklaroi se vetëm në Jalisco janë vrarë të paktën 25 pjesëtarë të Gardës Kombëtare që nga nisja e përplasjeve. Mes viktimave janë gjithashtu një oficer burgu, një punonjës i prokurorisë dhe rreth 30 anëtarë të organizatës kriminale, duke e çuar bilancin total në të paktën 60 të vdekur.
Qeveria njoftoi vendosjen e 2,500 trupave shtesë, duke e çuar në rreth 10 mijë numrin e ushtarëve të dislokuar në rajon.
Presidentja Claudia Sheinbaum e cilësoi operacionin “vendimtar” dhe deklaroi se situata po shkon drejt normalizimit. “Ka qetësi, ka qeveri dhe koordinim të shkëlqyer të forcave të armatosura. Ne garantojmë paqen e popullit”, u shpreh ajo.
Turizmi dhe Botërori 2026 nën hije pasigurie
Tensionet prekën edhe destinacione turistike si Puerto Vallarta dhe Guadalajara. Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve të tij të shmangin zonat e rrezikshme dhe aktivizoi një linjë emergjente 24-orëshe. Disa linja ajrore amerikane pezulluan përkohësisht fluturimet drejt këtyre qyteteve.
Kriza shpërthen vetëm disa muaj përpara FIFA World Cup 2026, që do të bashkëorganizohet nga Meksika, SHBA dhe Kanadaja, me Guadalajarën mes qyteteve pritëse.
Ekstradime masive drejt SHBA
Paralelisht me përforcimin ushtarak, autoritetet meksikane kanë ekstraduar 92 të dyshuar për lidhje me kartelet në Shtetet e Bashkuara që nga shkurti, sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Mes tyre është edhe vëllai i “El Mencho”, Antonio Oseguera Cervantes, i njohur si “Tony Montana”, i akuzuar për trafikim kokaine dhe metamfetamine.
Zyrtarët amerikanë theksuan se rastet do të gjykohen në 13 shtete dhe në Distriktin e Kolumbias, ndërsa disa prej të pandehurve përballen me burgim të përjetshëm.
Autoritetet në të dy vendet deklarojnë se ofensiva kundër karteleve do të vijojë, ndërsa tensionet në Meksikë mbeten të larta.
