Negociatorët iranianë dhe amerikanë nisën më 17 shkurt bisedimet jodirekte për programin bërthamor të Teheranit, prapa dyerve të mbyllura në Gjenevë të Zvicrës.

Të ndërmjetësuara nga Omani, bisedimet synojnë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet për programin bërthamor të Republikës Islamike, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të grumbullojnë forca në Detin Arabik.

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se dështimi për të arritur marrëveshje, mund të çojë në sulme ushtarake.

“Nuk mendoj se ata i duan pasojat e mosarritjes së një marrëveshjeje”, u tha Trump gazetarëve më 16 shkurt.

“Ne mund të kishim marrëveshje në vend se t’i dërgonim B-2-shët për të shkatërruar potencialin e tyre bërthamor. Dhe, neve na duhej t’i dërgonim B-2-shët”, shtoi Trump, duke iu referuar bombardimeve të objekteve bërthamore të Iranit në qershor të vitit 2025.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara forcojnë praninë e tyre ushtarake pranë kufijve të Iranit, trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) nisën më 16 shkurt manovra detare në Ngushticën e Hormuzit.

Mediat iraniane raportuan se qëllimi është të testohen aftësitë operacionale të Marinës së IRGC-së, përballë “kërcënimeve të mundshme të sigurisë dhe ushtarake”.

Trump tha se do të jetë i përfshirë në bisedimet e Gjenevës “në mënyrë indirekte”.

Ky është rundi i dytë i negociatave mes Teheranit dhe Uashingtonit këtë vit, pas bisedimeve të zhvilluara më herët këtë muaj në Muskat.

Irani tha se është i gatshëm t’i nënshtrohet një regjimi të rreptë inspektimesh në objektet e tij bërthamore, në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane.

Megjithatë, Teherani refuzoi mundësinë e negociatave për çështje si programi i tij raketor dhe mbështetja për grupet e ashtuquajtura ‘proxy’ në rajon, edhe pse administrata Trump insiston se ato duhet të adresohen.

Bisedimet po zhvillohen në konsullatën e Omanit, me ndërmjetës që shkëmbejnë mesazhe mes ministrit iranian të Jashtëm, Abbas Araqchi, dhe të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff. /rel

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds