Mbretëresha Máxima e Holandës ka nisur këtë javë stërvitjen për t’u bashkuar me rezervën e Forcave të Armatosura holandeze, në një kohë kur ushtria po synon të forcojë kapacitetet e saj përballë tensioneve të shtuara gjeopolitike në Evropë. Mbretëresha 54-vjeçare, e lindur në Argjentinë dhe bashkëshortja e Mbretit Willem-Alexander, e nisi zyrtarisht trajnimin të mërkurën, njoftoi Ministria Holandeze e Mbrojtjes. Në një deklaratë zyrtare thuhet se, “duke qenë se siguria e Holandës nuk mund të merret më si e mirëqenë, Máxima ka vendosur të bashkohet me rezervën”, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për forcimin e mbrojtjes kombëtare.

Mbretëresha pritet të betohet më vonë gjatë këtij muaji, ndërsa qeveria e re e koalicionit ka shpallur plane për rritjen e numrit të personelit ushtarak nga rreth 80 mijë në 122 mijë trupa. Ky përforcim lidhet drejtpërdrejt me paqëndrueshmërinë gjeopolitike dhe luftën e Rusisë në Ukrainë, e cila ka rritur shqetësimet për sigurinë në kufijtë lindorë të Evropës.

Shtëpia Mbretërore e Orange theksoi se Mbretëresha Máxima, “ashtu si shumë qytetarë të tjerë, dëshiron të kontribuojë në sigurinë e vendit”. Vendimi i saj vjen vetëm pak kohë pasi vajza e saj, Princesha Amalia, trashëgimtarja e fronit holandez, përfundoi muajin e kaluar stërvitjen bazë ushtarake si rezerviste vullnetare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Klaas Meyer, e vlerësoi këtë hap, duke nënvizuar se përfshirja e Mbretëreshës është një zgjedhje personale. “Jemi shumë krenarë për këtë vendim dhe shpresojmë që të frymëzojë edhe qytetarë të tjerë që të mendojnë se edhe ata mund të kontribuojnë”, u shpreh ai. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, programi i trajnimit të Mbretëreshës do të përfshijë lëndë teorike dhe praktike, si qëndrueshmëri fizike, vetëmbrojtje, qitje, lexim hartash dhe njohuri mbi ligjin ushtarak. Pas përfundimit të trajnimit, Máxima pritet të marrë gradën e nënkolonelit dhe do të jetë e gatshme të dislokohet kudo që të paraqitet nevoja. Përfshirja e anëtarëve të familjeve mbretërore në forcat e armatosura është një traditë e hershme në Evropë, e cila vitet e fundit është zgjeruar edhe për gratë. Një shembull i tillë është edhe Princesha Elisabeth e Belgjikës, e cila pesë vjet më parë ndoqi një shkollë ushtarake në Bruksel si pjesë e përgatitjes së saj për detyrat e ardhshme mbretërore.

Our Majesty Queen Máxima is joining the Royal Netherlands Army as a reservist.

In times of rising threats, she shows personal commitment to the security of the Netherlands.

What an outstanding role model. I am proud how she sets an example of how we all can contribute. 🇳🇱 pic.twitter.com/jB1AR38IQU

— Ruben Brekelmans (@DefensieMin) February 4, 2026

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *