Mbi 500 emigrantë u shpëtuan nga autoritetet greke pranë ishullit Gavdos, teksa udhëtonin drejt Kretës në kushte tejet të rrezikshme. Të gjithë emigrantët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë transportuar për regjistrim, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rritje të rrezikut nga trafiku i paligjshëm i njerëzve në Mesdhe.

Një operacion i gjerë shpëtimi u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së premtes në juglindje të ishullit Gavdos, ku 545 emigrantë u gjetën të grumbulluar në kushte tejet të rrezikshme në një anije peshkimi.

Mjeti lundrues u lokalizua 16.5 milje detare nga brigjet e Gavdos, pas sinjalizimit të autoriteteve detare.

Në operacion morën pjesë tre anije të Rojës Bregdetare greke, tre mjete të Frontex, si dhe anije të tjera tregtare që ndodheshin në zonë.

Pas disa orësh ndërhyrjeje, operacioni përfundoi me sukses pa viktima apo persona të lënduar.

Sipas njoftimit zyrtar të Rojës Bregdetare, të gjithë emigrantët janë në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht kushteve të vështira në të cilat udhëtonin.

Ata u transportuan fillimisht në Agia Galini, në Kretë, dhe më pas në Rethymno, ku po kryhet procesi i identifikimit dhe regjistrimit të tyre.

Pamjet video dhe fotografitë e publikuara nga autoritetet tregojnë emigrantët të ngjeshur në hapësira shumë të kufizuara, duke rikthyer në vëmendje rrezikun ekstrem të këtyre udhëtimeve detare.

Autoritetet greke theksojnë se bëhet fjalë për një tjetër rast që dëshmon aktivitetin e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat organizojnë kalime të paligjshme nga brigjet e Libisë drejt Kretës.

Vetëm pak orë pas këtij operacioni, autoritetet detare lokalizuan një tjetër anije me rreth 80 persona në të njëjtën zonë detare.

Edhe ky mjet u shoqërua drejt Agia Galinit, ndërsa emigrantët u transferuan në ambientet pritëse.

Autoritetet greke vazhdojnë të monitorojnë zonën, ndërsa rritet shqetësimi për flukset migratore në Mesdheun Lindor, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur kushtet e motit e bëjnë edhe më të rrezikshëm udhëtimin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *