Pas më shumë se një muaji nga zgjedhja e kryetarit të qytetit dhe pothuajse dy muaj nga zgjedhja e Këshillit të ri komunal, në Strugë nuk po mund të konsolidohet pushteti lokal.
Kryeministri maqedonas, njëherësh udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, vuri në dyshim mbështetjen për kryetarin Mendi Qyra, duke thënë se ai la një “përshtypje katastrofale” në fillim. Nga ana tjetër, asnjë nga partitë që hyri në Këshill komunal nuk ka dhe për momentin nuk mund të sigurojë shumicën, për çka ende nuk është zgjedhur as kryetar i Këshillit.
Nëse nuk ka pushtet funksional, sipas përfaqësuesve të pushtetit politik me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, qytetarët janë ata që do të vuajnë pasojat. Në këtë komunë, e cila ndodhet në bregun e Liqenit të Ohrit në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, jetojnë rreth 50.000 banorë.
Kryetari i qytetit është i bindur se do të bashkëpunojë me kryeministrin
Mendi Qyra, i cili vjen nga sektori i biznesit, është kandidati i vetëm që ka fituar postin e kryetarit në Strugë, dhe të paktën në letër, ai garoi si kandidat i pavarur. Koalicioni qeverisës, VMRO-DPMNE dhe VLEN, nuk paraqitën kandidatë për Strugën, por e mbështetën atë. Duke marrë parasysh qëndrimet e Mickoskit se e ka zhgënjyer, kryetari i qytetit konsideroi se bashkëpunimi i tyre mund të vazhdojë, sepse “komuna është mbi të gjitha” dhe “kemi nevojë për njëri-tjetrin”.
Mendoj se kjo nuk është një deklaratë që mund të prishë marrëdhëniet. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë sepse Komunës së Strugës i duhen projekte të mëdha që janë të nevojshme për qytetarët”, tha Qyra për Radion Evropa e Lirë
Kritikat ndaj tij, Mickoski i bëri pas festimit të Ditës së Flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor, për shkak të mosvendosjes të flamurit shtetëror maqedonas, që është obligim ligjor.
“Ai nuk meriton mbështetje… Kishte një fillim të keq, nuk ka një mundësi të dytë për përshtypjen e parë”, tha Mickoski në një konferencë për gazetarët më 4 dhjetor, duke shtuar se nuk është i sigurt nëse këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do t’i japin mbështetje në të ardhmen.
Për mosvendosjes së flamurit maqedonas gjatë festës, policia e Strugës ka dorëzuar edhe një kërkesë për procedurë për kundërvajtje ndaj Komunës dhe kryetarit të qytetit. Por, a ishte kjo arsyeja e vetme që “mbushi kupën” apo ka edhe arsye të tjera për mllefin e Mickoskit?
“Nuk besoj. Unë nuk mund të di çfarë ka menduar kryeministri, por mendoj se do të kemi bashkëpunim të mirë edhe në të ardhmen”, tha Qyra.
Ai merr drejtimin e komunës pas qeverisjes së gjatë të Ramiz Merkos nga Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili nga 20 vjetët e fundit, në 16 prej tyre ishte kryetar i Strugës. Vetëm në periudhën 2013-2017 ai nuk udhëhoqi Strugën. Merko përfundoi në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe ndërhyrje në procese gjyqësore dhe në zgjedhjet e fundit lokale, BDI-ja së bashku me koalicionin e saj, garoi me një kandidat tjetër në Strugë
Një problem shtesë për Strugën është edhe çështja e funksionalitetit të Këshillit komunal. Më 14 nëntor u thirr seanca konstitutive, por nuk u zgjodh kryetari i Këshillit. Koalicioni opozitar Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), e udhëhequr nga BDI, propozoi një nga këshilltarët e vet që të marrë kryesimin e Këshillit, por propozimi nuk kaloi.
Në fakt, AKI ka grupin më të madh të këshilltarëve, gjithsej tetë anëtarë. Këshilli ka gjithsej 23 anëtarë, ndërsa për shumicë nevojiten 12 vota. Partitë qeverisëse, VMRO-DPMNE me gjashtë dhe VLEN me katër këshilltarë, nuk e kanë shumicë, ndërsa njëkohësisht ka edhe mosmarrëveshje mes tyre. Nga një këshilltar përfaqësohen edhe LSDM-ja dhe E Majta, ndërsa tre këshilltarë janë nga lista e pavarur që para zgjedhjeve publikisht mbështeti ish-kryetarin Ramiz Merko, dhe tani shpesh nga pjesa tjetër e këshilltarëve ata quhen si “Lista e Merkos”.
Si kryetari, ashtu edhe disa nga këshilltarët shpresojnë që të zgjidhet kryetari i Këshillit, por për momentin askush nuk mund të konfirmojë se kur dhe si do të sigurojnë shumicën.
Këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Mite Stefoski, tha se ata si grup këshilltarësh kërkojnë funksionim ligjor të Këshillit dhe nuk do të mbështesin “asnjë voluntarizëm apo arbitraritet” për të shkelur procedurat.
“Mendoj se nëse punohet për zgjidhjen e problemit, do të gjendet një zgjidhje. Tani nuk mund të funksionojmë kështu, sepse qytetarët nuk do të përfitonin asgjë nga një këshill i tillë jofunksional”, tha Stefoski për REL-in.
Pakënaqësitë e VMRO-DPMNE-së janë përqendruar te fakti se, edhe pse nuk u zgjodh kryetar në seancën konstitutive, kolegët e tyre thërrasin seanca duke u mbështetur në faktin se ndërkohë Këshillin duhet ta udhëheqë anëtari më i vjetër. Në përbërjen aktuale, ai është Nafi Jonuzi nga radhët e VLEN-it.
“Sipas nenit 47 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, seancat i thërret dhe i udhëheq këshilltari më i vjetër. Po, në këtë rast ky jam unë. Ne kemi disa pika që duhet të kalojnë dhe për këtë arsye Këshilli do të punojë normalisht”, tha Jonuzi në një bisedë me REL-in, para seancës së 10 dhjetorit, që ai thirri
Në rendin e ditës për seancën më 10 dhjetor ishin vendosur një dhjetëra pika, përfshirë formimin e komisioneve të ndryshme – për urbanizëm, turizëm si dhe votimin e disa raporteve tremujore. Në fillim të seancës, si propozim urgjent u shtua një pikë për shpërndarjen e 17 milionë denarëve nga buxheti i komunës për arsimin fillor.
