Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Pjezë të Njësisë Administrative Xhafzotaj, Shijak, ku një vajzë 18-vjeçare, e cila sipas familjarëve vuan nga probleme të shëndetit mendor, ka denoncuar se është abuzuar seksualisht me dhunë në një banesë të braktisur.
Menjëherë pas kallëzimit, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shijak organizuan operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat, u arrestua shtetasi H. G., 44 vjeç, banues në Pjezë.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi si prova materiale: një shkop gome, mjet që përdoret nga strukturat e rendit; një armë gjahu, të cilën 44-vjeçari e mbante pa lejen përkatëse.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj të arrestuarit do të hetohet për veprat penale: “Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, me persona të paaftë për t’u mbrojtur”, “Mbajtje pa leje të armëve të gjahut”, “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.
