Në vitin 2026 parashikohen të regjistrohen në kadastrën fiskale 2.5 milionë pasuri të paluajtshme që do të jenë subjekt i taksës së re për pasuritë e paluajtshme.
Sipas dokumentit të programit buxhetor afatmesëm 2026-2028 të publikuar në Fletoren Zyrtare, kostoja e regjistrimit llogaritet 25.7 milionë lekë, ose 10.2 lekë për çdo pasuri të regjistruar. Numri i regjistrimeve pritet të mbetet i pandryshuar edhe për vitet 2027 dhe 2028, sipas strategjisë afatmesme. Për projektin “ProTax Albania”, që synon zbatimin e taksës së pronës të bazuar në vlerën e tregut, në vitin 2026 parashikohen shpenzime prej 8.7 milionë lekësh.
Taksa e re e pasurive të paluajtshme e llogaritur mbi vlerën e tregut të pasurive sipas draftit të publikuar në vitin 2023 parashikohej të niste zbatimin nga 1 janari 2026. Por nga Ministria e Financave zbatimi u shty edhe me 2 vite të tjera për në vitin 2028.
Ministria e Financave sqaron se shkak i shtyrjes së zbatimit të taksës së re është hartimi i një projektligj tërësisht i ri, i cili do të miratohet në vitin 2026, ndërsa do të nisë të zbatohet bashkë me Kadastrën Fiskale nga 2028. Shtyrja vjen pas konsultimeve dhe përgatitjeve të nevojshme për të ndërtuar një sistem të ri taksimi, i cili do të bazohet në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme.
Në projektligjin e mëparshëm, i publikuar për konsultim publik në vitin 2023, parashikoj që për ndërtesat rezidenciale niveli i taksës të luhatej në vlerat nga 0,1% në 0,2% nga 0,05 që aktualisht zbatohet. Për ndërtesat tregtare u propozua nivel takse nga 0,15% në 0,25% nga 0.2% që është aktualisht dhe për ndërtesat bujqësore dhe industriale, u propozua një nivel takse 0,15% në 0,25%.
Mësohet se drafti i ri që po hartohet, nuk parashikohet të ndryshojë koeficientet e taksës së ndërtesë, për truallin dhe tokën bujqësore të propozuara në 2023, që përafronin shkallën e taksës me vendet e rajonit.
Gjithashtu edhe në përfundim të konsultimeve për artikullin IV drejtuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber rekomandoi rritjen e të ardhurave përmes çuarjes përpara të reformës së taksës së pronës. / Monitor
