Prurjet e lumit Vjosë po rriten me shpejtësi dhe rrezikojnë të sjellin përmbytje në disa fshatra të bashkisë Fier me shtrirje gjatë rrjedhës së lumit. Në një prononcim për mediat kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi ka pohuar se niveli i prurjeve në Memaliaj është në kuotën e 6 metrave, dhe ndërsa po shtohen, nga përvoja e viteve të mëparshme, teksa i afrohen kuotës 6.5 metrave, fillon dhe shfaqet rreziku për zonën tonë, teksa ka theksuar se të gjitha këto zona të rrezikuara po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme. Përballë kësaj situate, Subashi u ka bërë apel banorëve të fillojnë evakuimin fillimisht të bagëtive në stanet e ndërtuara pranë lumit.
Emergjencat pranë bashkisë Fier janë pozicionuar në terren pranë Urës së Mifolit me qëllim për të ndërhyrë në kohë në rast të daljes nga shtrati të lumit.
Ndërkohë hidrovorët janë duke punuar me kapacitet të plotë ndërsa nuk ka patur probleme me furnizimin me energji elektrike.
