Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë juglindjen e vendit gjatë orëve të fundit kanë rikthyer sërish problemin e vjetër të tregut industrial në Pogradec.

Në mot me shi apo dëborë uji depërton brenda godinës së tregut, duke dëmtuar të gjitha produktet e tregtarëve, të cilët prej vitesh përballen me të njëjtën situatë.

Që në orët e para të mëngjesit, tregtarët u detyruan të hapnin tregun me kova e lecka në duar, në përpjekje për të minimizuar dëmet dhe për të larguar ujin që kishte mbuluar ambientin.

Megjithatë, për shkak të reshjeve të shumta, ato thonë se nuk kanë arritur dot të shpëtojnë mallrat, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre është lagur dhe rrezikon të dëmtohet.

Sipas tregtarëve, premtimet e bashkisë për ndërtimin e një tregu të ri kanë qenë të shumta, por asnjë iniciativë konkrete nuk është marrë deri më tani.
Çdo sezon reshjesh, situata përsëritet, duke i lënë ata përballë dëmeve dhe pasigurisë.

Tregtarët i bëjnë apel pushtetit vendor të ndërhyjë sa më parë, duke theksuar se janë në një gjendje të vështirë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *