Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka festuar në një event të veçantë 250-vjetorin e Trupës së Marinsave të Shteteve të Bashkuara.
Në këtë event, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Shqipëri, Nancy VanHorn, theksoi rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar dhe rolin e marinsave në sigurinë globale dhe rajonale.
Van Horn u shpreh se, “si aleatë të NATO-s dhe partnerë në sigurinë rajonale, ne ndajmë një angazhim për paqen dhe mbrojtjen e atyre që kanë më shumë nevojë për të”.
“Marinsat e vendosur këtu përfaqësojnë këtë partneritet me profesionalizëm dhe krenari”, theksoi VanHorn.
‘Ndërsa festojmë sonte, ne gjithashtu kujtojmë ata marinsa që nuk janë këtu me ne, ata që janë vendosur në zona rreziku dhe ata që kanë dhënë jetën e tyre në shërbim të kombit tonë. Nderojmë kujtimin e tyre sonte dhe çdo natë”, tha VanHorn.
Ky event theksoi bashkëpunimin e ngushtë mes SHBA-së dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë, si dhe respektin dhe mirënjohjen për sakrificat e marinsave gjatë më shumë se dy shekujve shërbimi.
