Kreu i Autoritetit të Konkurrencës Denar Biba është ankuar për kushtet e punës në institucionin që drejton. Duke folur në komisionin për Nismat Qytetare, Biba ka deklaruar se mbledhjet janë të detyruar që ti bëjnë në një ambient që përdoret dhe si arkivë.
Ndërkohë që më tej, foli dhe për kushtet më problematike të higjienës. Biba në fjalën e tij theksoi se në atë ambient janë 35 zonja që detyrohen të përdorin vetëm 1 tualet.
“Ky institucion është krijuar në 2004, në momentin e krijimit ka pasur 13 punonjës dhe është zhvendosur në ambientet aktuale ku ka edhe sot pas 21 vitesh. E ka nisur punën me 13 punonjës sot jemi 49, jemi në po të njëjtat ambiente.
Ne jemi në kushtet edhe të problematikave të higjienës. 35 zonja që shkojnë në një tualet, është banale që po e them, por ka ardhur momenti për ta thënë se nuk mban më. Nuk ka arkiva, në ambientet ku bëjmë mbledhje përdoret për arkivë. Muret janë plot me dosje, që nuk duhen mbajtur ashtu, por nuk kemi ku ti mbajmë”, tha Biba.
