Ditën e sotme, Kolegji Zgjedhor shqyrton kërkesën e Adriatik Lapajt për mandatin që koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” fitoi nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. 

Lapaj duket se ka hequr dorë nga Kuvendi, pasi ai ka ndryshuar padinë në Kolegjin Zgjedhor. Kreu i forcës politike Shqipëria Bëhet kërkon që të lihet në fuqi vendimi i kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashit, dhe deputete të bëhet Kleana Xhuveli. Kjo e fundit ishte renditur e katërta në listën e mbyllur për qarkun e Tiranës, ndërsa është njëkohësisht vajza e tezes së Lapajt. 

Ndërkohë më 30 korrik, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e subjektit “Shqipëria Bëhet” që të njihte dorëheqjet e listës së mbyllur nga kandidimi. KAS është shprehur në shpalljen e vendimit se akti i dorëheqjeve të kandidatëve nga lista e mbyllur është një akt i pavlefshëm nga ana ligjore dhe nuk mund të merret në konsideratë. KAS njoftoi se mandati i deputetit të “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun e Tiranës, do t’i kalojë kandidatës, Ana Dajko.

Beteja për mandatin e vetëm të “Nisma Shqipëria Bëhet”

Ky mandat deputeti është bërë shkak dhe për përplasjet mes koalicionit zgjedhor “Nisma Shqipëria Bëhet”. Dy partitë “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” kishin rënë dakord që deputet do të bëhej kandidat ai që merrte më shumë vota nga lista e hapur. Ndërsa ata që ishin në listën e mbyllur do të jepnin dorëheqjen. Ndërkohë, mosmarrëveshjet shpërthyen pasi kandidati i Nismës Thurje në listën e mbyllur në Tiranë, Zeqir Kordhoni tha se nuk do të tërhiqej nga mandati.

Pas disa ditësh akuzash të ndërsjella mes Lapajt dhe Endri Shabanit, daja i këtij të fundit u tërhoq nga mandati dhe kështu KQZ i dha Kleana Xhuvelit. Disa ditë para se të bëhej ndarja e mandanteve, Xhuveli vendosi “të tërhiqte dorëheqjen” e saj të mëparshme. Përmes një letre zyrtare drejtuar KQZ, ajo thoshte se ky vendim vjen pas një rishqyrtimi të plotë të rrethanave dhe një konsultimi të gjerë me mbështetësit, familjen dhe strukturat e angazhimit politik. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *