Një tërmet me magnitudë 8.8 ballë, një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë, ka goditur Gadishullin Kamchatka në lindje të largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunami në të gjitha vendet që kufizohen me Paqësorin. Paralajmërimet janë lëshuar në Japoni, Filipine dhe pjesë të SHBA-së, duke përfshirë Hawaiin, Kaliforninë dhe Alaskën. Cunami ka përmbytur tashmë qytetin Severo-Kurilsk, në pjesën veriore të arkipelagut rus të njohur si Ishujt Kuril, sipas Ministrisë Ruse të Emergjencave. Videot e postuara në mediat sociale treguan ujë të rrëmbyeshëm që vërshonte drejt shtëpive në qytetin me rreth 2,000 banorë, duke bërë që banorët të evakuoheshin. Sipas shkencëtarëve nga shërbimi gjeofizik i Akademisë Ruse të Shkencave, ky është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar në këtë zonë që nga viti 1952. Punëtorët në termocentralin bërthamor të dëmtuar në Fukushima (Japonia lindore), ku ndodhi një nga dy aksidentet më të këqija bërthamore në historinë moderne në vitin 2011, u evakuuan, njoftoi operatori TEPCO. Cunamët godasin vazhdimisht dhe Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) i paralajmëroi qytetarët të mos dilnin në det dhe të mos i afroheshin bregdetit derisa të hiqet paralajmërimi. Agjencia fillimisht parashikoi se valët do të arrinin 1 metër, pastaj e rishikoi atë për të vlerësuar se ato mund të arrinin deri në 3 metra. Qendra Amerikane e Paralajmërimit për Cunam në Paqësor (PTWC) vlerësoi se ekzistonte mundësia që valët sizmike “të rrezikshme” të godisnin brigjet e Kalifornisë, Oregonit dhe Uashingtonit, Hawaiit, Guamit dhe gjetkë. I njëjti burim vlerësoi se brigjet e Ekuadorit ishin në rrezik. Paralajmërime për valë prej 1 metri u lëshuan gjithashtu nga Australia në Kolumbi, nga Filipinet në Zelandën e Re, nga ishujt Tonga në Tajvan dhe në Indonezi. Qendra e parandalimit të cunamit e Ministrisë Kineze të Burimeve Natyrore paralajmëroi se cunami mund të shkaktojë dëme në disa zona bregdetare të Kinës. Të paktën gjashtë lëkundje të forta pasuese, përfshirë dy shumë të forta, me magnitudë 6.9 dhe 6.3, u regjistruan pas tërmetit kryesor, sipas USGS. Sizmologët rusë në Kamchatka paralajmëruan se lëkundjet pasuese deri në 7.5 magnitudë nuk mund të përjashtoheshin brenda muajit të ardhshëm. Më shumë se 1.9 milion njerëzve u është kërkuar të evakuohen në Japoni. Rreth 10,500 prej këtyre njerëzve janë në Hokkaido, ku pamjet e mediave lokale tregojnë njerëz që mblidhen në një çati. Ndërkohë Distrikti rus i Severo-Kurilsk, në skajin jugor të Gadishullit Kamchatka në lindje të largët të Rusisë, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas tërmetit dhe cunamit. Tërmeti me magnitudë 8.8 që goditi brigjet e gadishullit dhe shkaktoi disa valë cunami në Severo-Kurilskun herët të mërkurën, shkëputi anijet nga ankorimet e tyre dhe duke marrë me vete kontejnerët e magazinimit. Rreth 300 persona u evakuuan nga porti, thanë shërbimet rajonale të emergjencës për agjencinë shtetërore RIA News.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *