“Çesma e Vidhajt “ në Gjerbës të Mallakastrës, është i vetmi burim natyror furnizimi me ujë për 120 familjet e këtij fshati. Edhe pse të rrethuar nga burime e rezervate uji, banorët prej më shumë se tre dekadash, vuajnë mungesën e këtij shërbimi jetik në përditshmërinë e tyre. Ndër vite janë bërë dy investime madhore, që kanë mundësuar shtrirjen e rrjetit ujësjellës në çdo shtëpi, por uji në çesma e rubineta nuk ka mundur të arrijë. Në këto kushte jemi të detyruar të mbushim ujë me bidona në burimin e vetëm të fshatit , thonë të indinjuar banorët, edhe pse është dy kilometra larg. Dikush me hajvan e dikush me automjet. 85- vjeçarja Azyre Jaupaj, tregon se që në moshën 16 vjeçare që ka ardhur nuse në këtë fshat nuk iu ndanë bidonat nga supet.
Ndërkohë Kryeplaku i fshatit Xhafo Murataj, thotë se mungesa e një shërbimi të tillë bazik është e patolerueshme në vitin 2025.
Banorët thonë se puset në fshat nuk funksionojnë për shkak të thatësirës, dhe theksojnë se kërkesat e tyre të vazhdueshme kanë rënë në vesh të shurdhët.
Përveë sigurimit të ujit që paraqitet si një sfidë e ngjashme me atë të kohëve primitive, mungesa të tjera janë rrugët e pashtruara, mungesa e energjisë elektrike, mungesa e sistemit vaditës.
