Dje ka ndodhur një krim i rëndë në familje në Frashër të Patosit.
Vajza vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale. Policia e Fierit ka arrestuar 26-vjeçaren dhe nënën e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.
Sipas policisë si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.
Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.
Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).
Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit.
Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.
53-vjeçarja u arrestua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”.
Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
