Zjarri në Belishovë sot është ne ditën e 6 të tij. Që në orët e para të mëngjesit, 30 trupa të ushtrisë i janë bashkuar operacionit për neutralizimin e flakëve.
Shërbimet zjarrfikëse , efektivët e emergjencës civile, të policisë bashkiake, po vijojnë pa ndërprerje punën, ndërsa flakët duken me intensitet më të ulët. Ende nuk është bërë vlerësimi i situatês, për të bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri.
Zjarri nisi fillimisht në masivin pyjor të Drenovës, për të kaluar në kodrat e Gorishovës ku u dogjën dhjetra rrënjë ullinj, e më pas në Belishovë, ku mbrëmjen e djeshme flakët dolën jashtë kontrollit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe nën kurorë, midis kufirit ndarës të fshatit Drenovë, Belishovë, dhe fshatit Gorishovë, i cili u riaktivizua më datë 14 korrik. Vatra e zjarrit ka marrë zgjerim të perimetrit, për shkak të erës. Po punohet nga forcat operacionale për shuarjen e tij.