Mes trazirave të vazhdueshme në Tokën e Shenjtë, Papa Leo XIV dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu folën në telefon të premten.
Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen e tij për negociata dhe armëpushim në Gaza, sipas Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.
“Këtë mëngjes, në rezidencën e tij në Castel Gandolfo, Shenjtëria e Tij Papa Leo XIV foli në telefon me Shkëlqesinë e Tij Benjamin Netanyahu, Kryeministrin e Izraelit, pas sulmit ushtarak të djeshëm nga ushtria izraelite që goditi Kishën e Familjes së Shenjtë në Gaza, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur të tjerë, disa prej të cilëve rëndë”, tha Zyra e Shtypit në një deklaratë.
“Gjatë bisedës”, vinte në dukje ajo, “Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen e tij për një shtytje të re për negociata, një armëpushim dhe një fund të luftës”.
Për më tepër, shtoi ajo, Papa Leo “shprehu përsëri shqetësimin e tij për situatën tragjike humanitare të popullsisë në Gaza, fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët e së cilës po paguajnë një çmim të dhimbshëm”.
“Së fundmi,” përfundonte deklarata, “Ati i Shenjtë përsëriti nevojën urgjente për të mbrojtur vendet e adhurimit dhe, veçanërisht, besimtarët dhe të gjithë njerëzit në Palestinë dhe Izrael.”
Kisha e Familjes së Shenjtë, e vetmja kishë katolike në Gaza, u godit nga Izraeli të enjten në mëngjes, duke rezultuar në tre të vdekur dhe 10 të plagosur, përfshirë priftin e famullisë, At Gabriel Romanelli.
Në një deklaratë, Patriarkana Latine në Jerusalem u bëri thirrje udhëheqësve “të ngrenë zërin dhe të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të ndaluar këtë tragjedi, e cila është e pajustifikuar nga ana njerëzore dhe morale”.