Një zjarr masiv në një qendër tregtare në Kut rezultoi fatal për 60 persona. Autoritete irakiane bëjnë me dije se 11 persona janë të zhdukur. Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë flakë që përfshijnë një ndërtesë pesëkatëshe në Kut gjatë natës, ndërsa zjarrfikësit luftojnë për të vënë nën kontroll flakët.
Një korrespondent i AFP raportoi se qendra tregtare ishte hapur vetëm pesë ditë më parë. Raportet fillestare thanë se zjarri shpërtheu në katin e parë. Gazetari tha gjithashtu se pa trupa të djegur në spital.
“Ne kemi përpiluar një listë prej 59 viktimash, identiteti i të cilëve është konfirmuar, por një trup është i djegur në një masë të tillë sa është jashtëzakonisht e vështirë të identifikohet”, tha një zyrtar shëndetësor në qytet.
“Ka më shumë trupa që ende nuk janë nxjerrë nga rrënojat e zjarrit”, tha zyrtari i qytetit Ali al-Mayahi për Reuters.
Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë njerëz që qajnë ndërsa presin me dëshpërim lajme për të dashurit e tyre. Shkaku i zjarrit nuk dihet ende, por guvernatori i provincës tha se rezultatet fillestare të hetimit do të shpallen brenda 48 orëve, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve INA.
“Ne kemi ngritur padi kundër pronarit të ndërtesës dhe qendrës tregtare”, tha guvernatori i cili shpalli tre ditë zie në provincë.