Ka përfunduar rinumërimi i kutive të zgjedhjeve të 11 Majit në qarkun e Fierit, me kërkesë të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, i cili pretendonte një mandat, për t’ia marrë Partisë Socialiste, por nuk u arrit.
E shumëpërfolura kandidatja socialiste e Fierit Zegjine Çaushi humbi mandatin me 10 vota diferencë ndaj kanditates së Partisë socialiste të Lushnjës Maldrita Bardho.
Çaushi kishte 64 vota më shumë se sa Maldrita Bardho në numërimin e votave të 11 majit dhe me rinumërimin i janë hequr 48 vota të padrejta.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Maldrita Bardho ka marrë në total 4636 vota, ndërsa Zeqine Caushi një total prej 4626 votash.
U mendua se me humbjen e mandatit, nuk do të arrinim të shikonim përballjen në Kuvend mes Çaushit dhe Gazment Bardhit. Por kandidatja socialiste Maldrita Bardho u tërhoq duke ia lënë mandatin Zeqine Çaushit e cila do të ulet si deputete në Kuvendin e ri në 9 shtator.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, zonja Bardho u shpreh se nuk pranon mandatin, por do të vijojë kontributin në PS.
Postimi i Maldrita Bardho:
Pasi ndoqa me vëmendje rinumërimin e votave për qarkun Fier, ndihem e lumtur dhe e nderuar që kontributi im i gjatë në Partinë Socialiste është vlerësuar nga bashkëqytetarët e mi dhe ata më kanë konsideruar të denjë për ti përfaqësuar në parlamentin shqiptar.
Megjithatë, unë kam marrë një vendim të rëndësishëm, që kam dëshirë ta ndaj me të gjithë, një vendim që e kam marrë përpara se të niste rinumërimi dhe që sot m’u përforcua përfundimisht.
Unë do të vijoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, me të gjithë mundësitë e mia, por pa qenë pjesë e parlamentit shqiptar.
Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shenjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjeter, nga politika e përbaltjes që ka frikë nga zërat e rinj, Zegjinesë nga e cila sot më ndajnë vetëm 10 vota dhe që padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit, për të përfaqësuar të rinjtë, sidomos vajzat.
Ju falenderoj nga zemra thellësisht dhe do të jem aty për të gjithë ju që më votuat, me të njëjtin entuziazëm dhe forcë që vetëm ne socialistët kemi!