Në Iran filluan të mbahet funeralet publike për rreth 60 oficerë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë të vrarë në luftën 12-ditore me Izraelin, tha televizioni shtetëror.
“Ceremonia përkujtimore për martirët ka filluar zyrtarisht”, tha një prezantues i televizionit shtetëror, duke treguar imazhe nga Teherani të njerëzve që mbanin flamuj iranianë dhe foto të ushtarëve të vrarë në konflikt. Të premten, presidenti amerikan tha se SHBA-të “pa dyshim” do të nisnin sulme të reja ndaj Iranit nëse vendi vazhdonte programin e pasurimit të uraniumit që mund t’i lejonte atij të pajisej me armë bërthamore.
Shtetet e Bashkuara bombarduan tre objekte bërthamore iraniane natën e 21-22 qershorit, në mbështetje të sulmit të nisur nga Izraeli më 13 qershor me qëllim parandalimin e vendit nga pajisja me një armë bërthamore.
Disa oficerë të lartë të forcave të armatosura iraniane, përfshirë nga Garda Revolucionare, ushtria ideologjike e Republikës Islamike, dhe rreth 10 shkencëtarë bërthamorë u vranë në bombardimet izraelite. Autoritetet iraniane po nderojnë kujtimin e tyre këtë mëngjes me funerale publike.
“Sot do të jetë një ditë historike për Iranin Islamik dhe historinë e revolucionit”, tha dje në televizionin shtetëror Mohsen Mahmoudi, një zyrtar fetar për provincën e Teheranit.
Mediat iraniane transmetuan imazhet e para të ceremonive për “martirët e luftës së imponuar nga regjimi sionist” herët sot. Ata treguan arkivole të mbështjella me flamuj iranianë dhe foto të komandantëve të vrarë të veshur me uniformat e tyre.
Pamjet video treguan automjete nga Universiteti i Teheranit të rrethuara nga turma në Sheshin e Revolucionit aty pranë, ku pritet të zhvillohet një ceremoni e shkurtër. Procesioni i varrimit do të shkojë më pas në Sheshin e Lirisë, 11 kilometra larg, sipas Mahmoudi.