2 vëllezër të implikuar në veprimtari kriminale u arrestuan nga Policia Fier që në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier dhe bazuar në inteligjencën policore organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Connections”.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit I. H., 49 vjeç dhe G. H., 44 vjeç (vëllezër).
Gjatë kontrolleve në banesën e tyre, në fshatin Mbyet, shërbimet e Policisë gjetën sasi të lëndëve narkotike heroinë dhe cannabis sativa, të ndara në rreth 90 doza të gatshme për shitje, si dhe një armë gjahu që posedohej pa leje. Gjatë kontrolleve në afërsi të banesës, u gjetën të kultivuara 40 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dozat e lëndëve narkotike dhe arma e gjahut, si dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, bimët narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.